Babai i dy djemve të vrarë në mbrëmjen e djeshme në hotelin e familjes Gocaj në Velipojë, Pjetër Gocaj, ka treguar se përplasja ka ndodhur për shezlonget, përcjell Gazeta Sinjali.
Ai për mediat në Shqipëri ka thënë se fatkeqësia që i ka ndodhur atij, të mos i ndodhë askujt.
“Më kanë vrarë djemtë, kjo që më kanë ndodhur mua të mos i ndodhë askujt”, kështu është shprehur Gocaj, babai i dy djemve të vrarë.
Ai theksoi se djali i madh i tij ishte me dokumente angleze dhe se kishte ardhur në Velipojë për të investuar.
“Shezlonget i kam vendosur që në qershor po në sipërfaqen ku i kam pasur vjet. Gjatë qershorit ka filluar ndarja. Unë nuk mund të kundërshtoj asgjë sepse të gjitha janë me dokumente.
Ne i kemi vendosur shezlonget përpara se të bëhej ndarja nga shteti dhe ishim në pritje kur të vendosej kjo ndarje për të shikuar se ku i kemi ne dhe ku i kanë ata. Kjo që ka ndodhur mos i ndodhtë më kujt, mua më është fikur dera e shtëpisë“, ka thënë ai.
Tutje ai ka shtuar se atij nuk i duhet jeta më pas vrasjes së dy djemve të tij.
Nuk e kuptoj si ka ndodhur konflikti, por e di që për shezlonge. Më kanë vrarë tek dera e shtëpisë, më kanë vrarë dy djemtë. Çfarë më duhet jeta më. Vitin e kaluar i kam pasur unë shezlongët, këtë vit ia kanë dhënë atij. Ne kemi pritur që të ndahen shezlonget sepse kanë qenë pa u ndarë ende, ata kanë ardhur dhe na vranë në shtëpi.
Uroj mos t’i ndodhë më kujt se peshën e rëndë të kësaj ngjarje e kam unë mbi supe. Asgjë nuk dimë. Më kanë vrarë djemtë”, tregon ai.
Gocaj gjithashtu tregon se fillimisht i kanë vrarë djalin e madh, menjëherë dhe më pas ka qëlluar dhe djali tjetër. Pjetri thotë se nuk e ka pritur këtë ngjarje, pasi i ka pasur shok palën me të cilët ka ndodhur përplasja, pra familjen Ferracaku.
“Ata erdhën dhe qëlluan djalin e madh të parin që ishte me dokumente angleze i cili ka ardhur për të investuar dhe punuar. Pastaj qëlluan edhe djalin tjetër, djali i dytë i ka qëlluar edhe ai. Kur ka ndodhur nuk kam qenë këtu, por nuk kanë ardhur për të folur përderisa kanë ardhur me armë tek dera e shtëpisë. Uroj mos t’i ndodhë më askujt”, tha ai./Gazeta Sinjali/