image Flet 42-vjeçari me koronavirus në Shqipëri: Këto janë shenjat e para të sëmundjes, u tmerrova kur dola pozitiv

Rajon

Rrëfimi/ Flet 42-vjeçari me koronavirus në Shqipëri: Këto janë shenjat e para të sëmundjes, u tmerrova kur dola pozitiv

news image

Një i sëmurë me koronavirus, që aktualisht është në vetëkarantinim, foli mbrëmë në emisionin “Open” në Top Channel duke treguar se si e mori virusin. Ai u shpreh se ishte infektuar nga ai që njihet si “pacienti zero”, të cilin e kishte mik.

“Jam infektuar nga miku im, ai që ne e njohim si pacienti 0. Bëra testin dhe rezultova pozitiv. Atëherë u vetëkarantinova në shtëpi. Jam 42 vjeç. Kam kontaktuar me doktor Piperon që më tha të jem i qetë dhe do mund ta kaloj këtë situatë. Në 3-4 ditët e para kam pasur vetëm djersitje. Pastaj filloi temperatura. Kur kisha temperaturë merrja lëngje, paracetamol. Tani kam vetëm një kollë të thatë, por që nuk është e bezdishme ashtu siç e përshkruajnë. Më ndihmoi familja shumë”, tha ai.

Më tej, pacienti ka treguar edhe se në momentet e para që u informua se ishte pozitiv me koronavirus ishte tmerruar. Por, ai u bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të qëndrojnë në shtëpi.

“Kam bërë tamponin dhe në datën 10 kam dalë pozitiv, pasi kisha kontakte me mikun tim që është pacienti “0”. U tremba, sepse ishte një sëmundje e padëgjuar, shumë panik, shumë problem, po flitej në të gjithë botën. Një tmerr i vërtetë. Unë në momentin që kam dalë pozitiv, kam qëndruar në shtëpi dhe ka ardhur mjeku. Unë kam qëndruar gjatë gjithë kohës në shtëpi”.

“Ditët e para kisha vetëm djersë, pastaj kisha temperaturë dhe më pas kisha vështirësi me frymëmarrjen. Jam ndihmuar nga mjekët me anë të telefonit, por nuk kam marrë antibiotik dhe jam ushqyer si ditët e tjera. Kam pirë lëngje dhe ushqime të tjera. Është çështje paniku më shumë, nuk është një gjë e pamenaxhueshme, është më pak se një grip normal”, u shpreh pacienti i identifikuar nga moderatorja si Mark.