Dy të plagosurit, pasditën e sotme në Kolovicë të Prishtinës, janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas mjekëve kujdestarë, njëri nga të plagosurit është liruar për në shtëpi, pasi gjendja e tij ishte stabile, kurse i plagosuri i tjetër është duke u trajtuar ende në Klinikën e Ortopedisë së Re, raporton Gazeta Sinjali.
“Njëri është liruar për në shtëpi, pasi ishte në gjendje stabile. Tjetri është ende duke u trajtuar në Ortopedinë e Re, është hospitalituar për trajtim të mëtejm. Është i plagosur nën gjurin e djathtë, por është në gjendje stabile”, tha Dafina Basholli për Gazetën Sinjali.
Këta dy persona mbetën të plagosur nga disa të shtëna me armë zjarri në Kolovicë të Prishtinës, për të cilat policia njoftoi se u arrestua një person i dyshuar.
“Rreth orës 17:00 kemi marrë informatën se në lagjen Kolovicë në Prishtinë ka pasë të shtëna me armë zjarri. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti. Në këtë rast nga arma e zjarrit janë plagosur dy persona. Policia e ka arrestuar një person të dyshuar dhe ia ka konfiskuar armën që dyshohet se është përdorur në këtë rast”, ka thënë ëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti shtoi se policia është ende në kërkim për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në këtë rast./Gazeta Sinjali/