Sot, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka vazhduar seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Nenad Arsiq, i cili po akuzohet se ka kryer krime lufte në lagjen “Emshir” në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.
Nenad Arsiq akuzohet se bashkë me disa persona të tjetë të forcave policore serbe kanë torturar të dëmtuarin J.sh., dhe S.Sh., duke i rrahur për një kohë të gjatë me mjete të forta në pjesë pjesë të trupit, duke iu shkaktuar kështu vuajtje të mëdha dhe dëmtime të rënda trupore.
Në seancën e sotmë ka vazhduar dëshminë e tij J.Sh, i cili ka edhe cilësinë e të dëmtuarit në këtë rast. Në pytje të mbrojtësit të të akuzuarit Nenad Arsiq, avokatit Dejan Vasiq, se a është takuar ndonjëher dëshmitari J.Sh. me të akuzuarin Arsiq, pas lufte, dëshmitari tregoi se vetëm një herë është takuar me të akuzuarin Arsiq në oborrin e një komshiu të tij të njohur me emrin Zhiva.
Gjatë kësaj seance, i pandehuri Arsiq e ka pyetur të dëmtuarin J.Sh, se pse nuk e ka raportuar më herët këtë rast në polici, për të cilën i dëmtuari tha se nuk i ka poseduar të dhënat e plota për identitetin e të akuzuarit.
Përveç viktimës, dëshmitar tjetër në këtë rast ishte edhe vëllai i tij S.Sh., i cili po ashtu është i dëmtuar në këtë rast.
Sipas S.Sh., Nenad Arsiq, i kishte rrahur të dy vëllezërit, duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe duke grabitur në shtëpinë e tyre 120 mijë marka gjermane.
Kjo seanca u ndërpre me përfundimin e orarit të punës, për t’u caktuar vazhdimi i saj më 25 gusht 2020, në ora 10:00.
Nenad Arsiq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kundër personave dhe pasurisë që janë të mbrojtura me dispozitat përkatëse në Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949.
Në aktakuzë thuhet se me datë 21.05.1999, në lagjen “Emshir” në Prishtinë, i pandehuri Nenad Arsiq në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, deri më tani të paidentifikuar, ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë, me ç ‘rast në mënyrë çnjerëzore i kanë torturuar të dëmtuarit J.Sh., dhe S.Sh., duke i rrahur për një kohë të gjatë me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar vuajtje të mëdha dhe dëmtime të rënda trupore, nga pasojat e të cilëve ata vuajnë edhe sot.
Sipas aktakuzls, po atë ditë, i akuzuari Nenad Arsiq në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte gjetur dhe përvetësuar nga të dëmtuarit shumë të madhe të parave, disa vetura dhe gjësende të tjera me vlerë.
Me këto veprime i pandehuri Nenad Arsiq, në bashkëkryerje ka kryer vepër penale Krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e penalizuar si Krimet e luftës në shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës nga neni 144 paragrafi 2 nënparagrafi 2.4 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafi 1.1. lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës./Gazeta Sinjali/