image Fjalët e çekut para gjyqtarit në Prishtinë: E njoh personalisht presidentin dhe nuk dua të ekstradohem atje

Kosovë

Drejtësi/ Fjalët e çekut para gjyqtarit në Prishtinë: E njoh personalisht presidentin dhe nuk dua të ekstradohem atje

news image

Milan Janda është shtetasi i Republikës së Çekisë që u arrestua gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës me urdhërarrest ndërkombëtar, i cili është i dënuar në Çeki me tetë vite burgim për shkak të mashtrimit, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka siguruar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës nga aprovimi i masës së paraburgimit prej 40 ditëve ndaj shtetasit çek.

Janda pretendon se në Kosovë ka ardhur për t’u shëruar dhe ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës që të mos aprovohet kërkesa e prokurorit për masë të paraburgimit prej 40 ditëve.

Në fjalët e tij para gjykatësit ka thënë se në Republikën e Çekisë ka qenë shumë aktiv dhe se e njeh personalisht presidentin çek. Thotë se atje ka pasur një kompani të madhe dhe nuk dëshiron që të ekstradohet në Çeki.

“Nuk pranoj që të ekstradohem në Çeki, e kundërshtoj kërkesën e Prokurorisë Themelore të Kosovës sepse kam për të kryer një terapi mjekësore për çka edhe kam ardhur nga  Çekia, ndërsa kërkoj që të refuzohet kërkesa e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër meje, sepse i premtoj gjykatësit që unë nuk do të iki nga Kosova në asnjë mënyrë”, ka deklaruar ai para gjyqtarit të rastit, raporton Gazeta Sinjali.

Më tutje ai ka thënë se në Kosovë ka ardhur qe tetë muaj dhe se gjatë gjithë kësaj kohe ka bashkëpunuar me Policinë e Kosovës.

“Unë në Kosovë kam ardhur qe tetë muaj, ndërsa unë tërë kohën kam bashkëpunuar me policë dhe me autoritete çeke dhe për këtë është njoftuar edhe policia. Theksoj edhe njëherë se nuk dëshiroj të ekstradohem në Çeki, pra dëshiroj që të qëndroj në Kosovë ku jam duke u mjekuar dhe gjithashtu më pëlqen të jetoj në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër gjyqtari i rastit ka hedhur poshtë kërkesën e shtetasit çek si dhe të mbrojtësit të tij duke thënë se nëse Milan Janda lihet i lirë mund të pengohet procedura e ekstradimit të tij.

“Gjyqtari mori në shqyrtim edhe propozimin e mbrojtësit që eventualisht të kërkuarit t’i caktohet ndonjëra nga masa alternative të parapara me ligj, respektivisht masën e arrestit shtëpiak apo paraqitjen në stacion policor, mirëpo në rastin konkret ka vlerësuar se masat tjera janë të pamjaftueshme, kurse paraburgimi është e vetmja masë me të cilën tani për tani mund të sigurohet prania e të kërkuar në këtë procedurë penale me qëllim të zhvillimi të suksesshëm të procedurës së ekstradimit”, thuhet më tej në aktvendim.

Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme kishte raportuar se Janda ishte dënuar në Çeki për vjedhjen e 1.5 milion eurove./Gazeta Sinjali/