Një virus vdekjeprurës që përhapet me shpejtësi nëpër botë çon në kolaps shoqërinë dhe mobilizon shkencën për gjetjen e një kure. Duket si një përshkrim i realitetit që po përjeton bota sot, por në fakt po flasim për “Contagion”, filmi i prodhuar në vitin 2011, i cili së fundmi ka fituar popullaritet të madh.
Shitjet dhe shkarkimet e tij janë rritur ndjeshëm dhe të premten ai renditej i treti në klasifikimin e iTunes.
Kjo ka nxitur protagonistët e famshëm të tij që të shfrytëzojnë rastin për t’u përcjellë mesazhe qytetarëve në të gjithë globin.
Aktorja Kate Winslet tha: “Në filmin “Contagion” unë isha në rolin e një epidemiologeje që përpiqej të frenonte përhapjen e virusit. Për t’u përgatitur për rolin bisedova me disa prej profesionistëve më të mirë të shëndetit publik në botë. Dhe e dini cila ishte një prej gjërave më të rëndësishme që më mësuan? Laj duart sikur jeta jote të varej nga kjo gjë. Dhe vërtet, tani jeta jonë, e dikujt që duam ose atyre që janë në frontin e parë të betejës mund të varet nga kjo gjë”.
Ndërsa Matt Damon u shpreh: “Jam këtu për të folur për distancimin social, diçka të cilën e kemi dëgjuar shpesh në televizion gjatë javëve të fundit. Në film unë interpretoj një burrë që është imun ndaj virusit imagjinar. Por, ai ishte thjesht një film dhe unë besoj se në jetën reale as unë e as dikush tjetër, sado i ri të jetë, të jemi imunë ndaj virusit. Është një virus i ri, do të duhet kohë para se trupat tanë dhe mjekët ta zbërthejnë atë”. /Gazeta Sinjali/