Agjencia e Statistikave të Kosovës ka filluar punën në terren për pilot regjistrimin e popullsisë që nga 15 shtatori deri më 14 tetor, shkruan Gazeta Sinjali.
ASK ka planifikuar që këtë pilot-regjistrim ta realizojë në 13 komuna të Kosovës: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Graçanicë, Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan, Ranillugë, Prizren, Dragash, Mamushë, Pejë dhe Gjakovë.
Në njoftimin e ASK-së thuhet se janë bërë përgatitjet e duhura për fillimin e këtij procesi, ku janë përgatitur pyetësorët, metodologjia, udhëzuesit, si dhe metoda e mbledhjes së të dhënave në terren.
ASK po ashtu ka angazhuar rreth 60 regjistrues, 12 mbikëqyrës dhe 19 monitorues, që duhet të jenë të mirëpritur nga ekonomitë familjare. Po ashtu janë zbatuar rekomandimet e institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës, lidhur me aplikimin e masave mbrojtëse në lidhje me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19. /Gazeta Sinjali/