Federatat Kombëtare në të gjithë Evropën po gjejnë mënyra për të vazhduar t’i mbajnë vajzat aktive përmes basketbollit gjatë kohërave sfiduese për shkak të pandemisë Covid-19.
Njëra ndër Federatat që ka qenë më aktive, ishte edhe Federata e Basketbollit e Kosovës, ku FIBA e ka përmendur si shembull për të mirë.
“Kosova ka qenë aktive në dhënien e mesazhit të programit, me fushatën e tyre në rrjetet sociale. Lojtaret u mblodhën virutualisht për ta ndihmuar njëra-tjetrën larg fushës”, thuhet në përshkrimin e FIBA-s për Kosovën.
Gjithashtu janë përmendur edhe shembuj nga Shqipëria, Lituania, Bjellorusia, Spanja dhe Serbia.
Vende të tjera që janë pjesë e fushatës kanë qenë gjithashtu krijuese për të qëndruar aktiv përkundër sfidave Covid-19.
“Her World, Her Rules” është një projekt unik dhe fushatë në mediat sociale, e udhëhequr nga FIBA Europe që ka për qëllim të promovojë basketbollin e femrave dhe vajzave nëpër Evropë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që realizohen në partneritet me Federatat Nacionale.
Federata e Basketbollit e Kosovës është pjesë e projektit FIBA Europe Girls’ Program tash e dy vite dhe është duke e implementuar me mjaft sukses këtë projekt, ku FIBA Evropa pas evaluimit të vitit të parë të projektit të FBK-së, ka vendosur që të vazhdojë mbështetjen edhe për një vit tjetër për FBK-në, e cila ka arritur që të rrisë numrin e vajzave të reja që e praktikojnë basketbollin, dhe njëkohësisht duke e rritur edhe numrin e klubeve të femrave.