Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se gjatë ditës së sotme ka paraqitur ankesë në FIFA për veprimin agresiv të ekipit kombëtar të Serbisë, i cili në ndeshjen kundër Brazilit, në kuadër të Kupës së Botës “Katar 2022” ka vazhduar me retorikën shoviniste ndaj Republikës së Kosovës.
Sipas FFK-së, para kësaj ndeshjeje, në zhveshtoren e kombëtares së Serbisë është vendosur një flamur, ku shihej harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb, me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.
“Akte të tilla të shoviniste nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror, prandaj FFK si anëtare e barabartë me të gjitha anëtaret e tjera të FIFA-s, kërkon nga ky institucion që të ndërmarrë masa sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore”, thuhet në ragimin e FFK-së.
Më tej në njoftim thuhet se futbolli si sporti më i popullarizuar në botë përçon vlera bashkimi dhe assesi përçarjeje, ndërsa ky akt agresiv nuk përkon me vlerat e tilla, prandaj edhe duhet të ndëshkohet.
FFk-ja theksojnë se derisa Evropa e bota po ballafaqohen me një krizë të madhe si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, një kompeticion kaq madhështor siç është Kampionati botëror, duhet të jetë vend i mbizotërimit të thirrjeve për paqe, e jo të përdoret për të nxitur urrejte mes popujve.
“Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, me respektim maksimal të të drejtave të njeriut dhe i pranuar nga shtetet më të fuqishme botërore dhe si e tillë do ta vazhdojë rrugëtimin e saj, pa marrë parasysh provokimet si ky i fundit”, thuhet në njoftim.
FFK theksojnë se është e papranueshme që ky akt të kalojë në heshtje, prandaj kërkojmë fuqishëm që FIFA të zbatojë në përpikëri rregullat e saj dhe të ndëshkojë Federatën e Futbollit të Serbisë për këtë veprim agresiv dhe kundër vlerave që i përçon futbolli.