Festimet për triumfin e Spanjës në finalen e Kupës së Botës u shndërruan në tragjedi në qytetin Ciudad Rodrigo të provincës Salamanca, ku një djalë 13-vjeçar humbi jetën pasi u shemb një shatërvan mbi të cilin ishin ngjitur tifozët.
Ngjarja ndodhi menjëherë pas përfundimit të finales, të cilën Spanja e fitoi ndaj Argjentinës falë golit vendimtar të Ferran Torres. Qindra tifozë ishin mbledhur pranë shatërvanit “Árbol Gordo” për të festuar suksesin e kombëtares.
Sipas autoriteteve, pjesa e sipërme e shatërvanit u shemb në kulmin e festimeve, duke zënë poshtë disa persona. Mes tyre ishte edhe 13-vjeçari, i cili fillimisht u dërgua në qendrën shëndetësore të Ciudad Rodrigo, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Qendra Emergjente 112 e rajonit Castilla y León njoftoi se alarmin e parë e mori në orën 00:33, pas disa telefonatave që raportuan shembjen. Në vendngjarje u angazhuan policia lokale, Garda Civile, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës mjekësore.
Përveç viktimës, tre persona të tjerë pësuan lëndime të rënda, ndërsa njëri prej tyre raportohet se ka thyer këmbën, shkruan Euronews, përcjell Sinjali.
Zona është rrethuar nga autoritetet, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e shembjes së shatërvanit. Ndërkohë, është aktivizuar edhe ekipi për ndërhyrje psikologjike në fatkeqësi dhe emergjenca për t’i ofruar mbështetje familjes së viktimës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!