image Ferizaj: Hajnat i shkojnë një gruaje të shtëpia për t’i dërguar “dhuratë për fundvit”, tentojnë ta grabisin

Siguri

Ferizaj: Hajnat i shkojnë një gruaje të shtëpia për t’i dërguar “dhuratë për fundvit”, tentojnë ta grabisin

news image

Grabitjet dhe vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi janë bërë një fenomen tejet shqetësues për qytetarët e Kosovës që po shkaktojnë ankth e pasiguri të madhe. Raste të tilla po raportohen pothuajse çdo ditë në Policinë e Kosovës nga familjet që po mbesin ‘qyl’, shkruan Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se një rast i tentim grabitjes ka ndodhur sot në mesditë, në rrugën “Bajram Gursel Sylejmani” në Ferizaj dhe është denoncuar nga pronarja e një shtëpie. 

Viktima është përballur me hajnin që i shkoi te shtëpia, gjoja se për t’i dërguar disa mjete për kuzhinë si dhuratë. Posa gruaja doli në oborr, i dyshuari fillimisht e kishte pyetur për gjësende me vlerë e ma pas ka tentuar t’ia marrë unazat nga dora.

Bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para hetuesve policorë hajni ishte i shoqëruar me një person tjetër, që po e priste te dera për ta kryer ‘punën’. Gruaja arriti ta largojë hajnin nga oborri duke i thënë se shtëpia është nën vëzhgimin e kamerave, çka e shtyri atë që t’ia mbath.

E shqetësuar jashtëzakonisht për rastin që i ndodhi, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë. Me t’u denoncuar rasti, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘tentim grabitje”, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet personi që dyshohet se ka kryer veprën.

/GazetaSinjali/