image FBI mbërrin në Kosovë, ekstradohet miku i Enver Hoxhajt

Kosovë

Drejtësi/ FBI mbërrin në Kosovë, ekstradohet miku i Enver Hoxhajt

news image

Imer Shahini para pak minutash është ekstraduar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pjesëtarë të FBI-së kanë arritur në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, me ç’rast është bërë edhe ekstradimi i Shahinit, i cili është vëllai i gruas së Enver Hoxhajt, raporton Sinjali.

Ditë më parë Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për ekstradimin e Imer Shahinit, i cili dyshohet për mashtrim me miliona dollarë.

Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), më 15 korrik 2019, kishte kërkuar nga Ministria e Drejtësisë ekstradimin e Imer Shahinit, i dyshuar për veprat penale “mashtrim me letra me vlerë” dhe “mashtrim me transfere elektronike”, për të cilin ishte lëshuar edhe fletarrest ndërkombëtar.

Për ekstradimin e Shahinit, ka shkruar edhe ambasadori amerikan Philip Kosnett.

“Sot për herë të parë kemi kthyer për gjykim një të arratisur nga Kosova në SHBA. Kur sundimi i ligjit është prioritet, kriminelët përballen me drejtësinë dhe të dy vendet janë më të sigurta”, ka shkruar ambasadori, transmeton Sinjali.