Familjet e varfra në vendin tonë janë të destinuara të mbesin të tilla për shkak se të gjitha burimet financiare i përdorimin për t’u ushqyer dhe paguar faturat e muajit kryesisht ujë dhe drita, teksa investojnë gati 0 lekë për t’u arsimuar.
Familjet shqiptare që përfshihen në 20 përqindëshin e poshtëm te të ardhurave dhe që përfaqësojnë shtresën më të varfër në vend harxhojnë vetëm 0.2 për qind te të ardhurave mujore për tu arsimuar, ose 15 herë më pak se mesatarja kombëtare prej 3%.
Familjet e varfra vitin e kaluar përdoren 53.3 për qind të buxhetit mujor për blerjen e ushqimeve, ndërsa 22.7 për qind të pjesës së mbetur e përdorin qiranë, faturat mujore të dritave dhe të ujit dhe mirëmbajtën e banesës.
Familjet e varfra harxhojnë shumë më pak se mesatarja kombëtare për shëndetin, komunikimin, transportin, argëtimin etj.
Bazuar në anketën e buxhetit të familjeve 2018 shpërndarja e shpenzimeve për konsum sipas decileve tregon se 90 % e familjeve shpenzon 83,9 % të vlerës së konsumit gjithsej, me një mesatare të shpenzimeve për konsum prej 70.788 lekë në muaj.
Nga ana tjetër, 10 % e familjeve shpenzon 16,1 % të konsumit gjithsej, me një shpenzim mesatar prej 122.242 lekë në muaj. Shpenzimet mesatare për konsum të 10 % të familjeve me shpenzime më të larta janë 1,7 herë më shumë se ato të 90 % tjetër të familjeve. Konsumi për frymë i 90 % të familjeve me shpenzimet më të ulta janë mesatarisht 20.294 lekë në muaj, ndërsa 10 % i familjeve me shpenzimet më të larta janë mesatarisht 60.987 lekë në muaj për frymë. Raporti i decileve 10/90 është 3,0 herë më i madh, në favor të 10% të familjeve.
Shpenzimet mesatare për konsum të familjeve tregojnë se në vitin 2018 ka pasur një ulje prej 19,6 % të shpenzimeve të 10 % të familjeve me shpenzimet më të larta dhe një rritje prej 9,5 % të shpenzimeve mesatare për konsum të 90 % tjetër, në krahasim me vitin 2017.