image “Faleminderit Shqipëri, ju duam juve”, Erdogani falënderon shqip Shqipërinë

Shqipëri

“Faleminderit Shqipëri, ju duam juve”, Erdogani falënderon shqip Shqipërinë

news image

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, duket se është ndjerë mjaft mirë gjatë vizitës në Shqipëri. Në mbyllje të vizitës, në llogarinë e tij në Instagram u postua një galeri me foto, me një përshkrim në shqip: “Faleminderit Shqipëri, ju duam juve!”.

Dita e Erdoganit në Shqipëri nisi me dorëzimin e çelësave të shtëpive të reja për banorët e Laçit, të cilët i kishin humbur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Në total Turqia kontribuoi për ndërtimin e 522 banesave të reja, për një kosto prej 42 milionë eurosh, siç tha vetë presidenti turk. Në Laç, sheshi kryesor i qytetit mori gjithashtu emrin e Erdogan, si vlerësim për ndihmën e Turqisë.

View this post on Instagram

A post shared by Recep Tayyip Erdoğan (@rterdogan)

Pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve dhe protokolleve mes dy qeverive, Erdogan mbajti edhe një fjalim në kuvendin e Shqipërisë, ku kërkoi që të luftohej shtrirja e organizatës “Hizmet” e klerikut Fetullah Gylen, e quajtur organizatë terroriste (FETO) nga ana e Turqisë.

“Rrezikoni që të përsëritet në Shqipëri, ajo që ndodhi në Turqi”, ishte mesazhi i Erdogan për ligjvënësit shqiptarë, duke kujtuar përpjekjen për grushtshtetin e vitit 2015 në vendin e tij, që sipas autoriteteve turke u orkestrua nga Gylen.

Vizitën në Shqipëri, Erdogan e mbylli me përurimin e xhamisë së Et’hem Beut, të restauruar nga TIKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Bashkërendim, raporton A2.

Në sheshin “Skënderbej” Erdogan u prit nga disa qindra mbështetës të tij, të ardhur edhe nga Maqedonia e Veriut e Kosova, të cilët mbanin flamuj të Shqipërisë dhe Turqisë./GazetaSinjali/