Nga Facebook, ka një mesazh për industrinë skeptike të lajmeve: Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar. Rrjeti social ka prezantuar para publikut mundësinë Facebook News, një pjesë e re e aplikacionit që do të promovojë një larmi të gjerë lajmesh.
Seksioni është ende në fazën e testimit dhe do të jetë në disponim për të gjithë përdoruesit e Facebook-ut brenda disa muajve.
“Ky është një moment i madh për marrëdhëniet tona me industrinë e lajmeve”, ka thënë zyrtarja e lartë për lajmet në Facebook, Campbell Brown, në një intervistë për CNN Business.
“Unë e di se njerëzit kanë dyshuar në ne dhe angazhimin tonë për biznesin e lajmeve”, tha ajo. “Kjo duhet të sinjalizojë që me të vërtetë duam të jemi kampion për raportime sa më të mira”.
Facebook ka punësuar një numër gazetarësh, për të zgjedhur “lajmet e sotme”, titujt më të rëndësishëm që do të shfaqen kur përdoruesi së pari hap seksionin News.
Algoritmi del me rekomandime të personalizuara për lexim të mëtejshëm, të përshtatura për lajmet që “ju lexoni, ndani me miqtë dhe i ndiqni”, është bërë e ditur nga ky rrjet social.
Është bërë e ditur se të gjitha shkrimet vijnë nga burime të jashtme – Facebook nuk po prodhon asnjë nga këto lajme. Disa botues do të paguhen, nëse lajmet e tyre do të shpërndahen në Facebook.
Për këtë arsye, drejtori i përgjithshëm i i BuzzFeed, Jonah Peretti ka thënë në një memo se, “është një ditë e mirë për internetin”. “Lajmet e sotme do të ndihmojnë në forcimin e biznesit tonë – por implikimet e tij shtrihen përtej kësaj”, shkroi ai, shkruan tg.
“Për herë të parë, ne po shohim që platformat po rriten dhe po marrin përgjegjësinë për rolin e tyre në ekosistemin e lajmeve”. Megjithatë, mediat shtrojnë shumë pyetje, se cilat portale do të paguhen dhe cilat jo. Kjo, thuhet tutje, është mjaft e komplikuar dhe shumë redaksi lokale, janë të shqetësuara se do të mbesin mbrapa.