image Fabrikohet lajmi i Sinjalit për të kamufluar identitetin e pronarit të veturës së “vjedhur” në Gjakovë - Sinjali

Fabrikohet lajmi i Sinjalit për të kamufluar identitetin e pronarit të veturës së “vjedhur” në Gjakovë

news image

Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi se vetura e tipit AUDI me të cilën u aksidentuan Domenika Pergega dhe Aurora Bunari në Gjakovë, nuk ishte veturë e vjedhur, pasi që Pergega veturën e mori me pëlqimin e pronarit të saj, Faton Gjokajt, i cili është vëllai i ish-komandantit të Policisë në Gjakovë, Kristë Gjokaj.  

Ndonëse nga aksidentimi me këtë veturë u tentua të fshehej e vërteta se pronë e kujt është automjeti, tentimet e tilla po vazhdojnë ende, por tashmë edhe duke fabrikuar lajmin e Gazetës Sinjali lidhur me identitetin e pronarit të veturës.

Gjatë ditës së sotme, Sinjali ka pranuar thirrje telefonike nga pronari i kompanisë “Mendi-P”, të cilit në lajmin e fabrikuar i është keqpërdorur identiteti, duke aluduar se vetura e aksidentuar për të cilën ka shkruar Sinjali, është e tij.

I njëjti ka dërguar në redaksi edhe dëshminë për lajmin e fabrikuar, duke kërkuar që lajmi të korrigjohet sepse vetura nuk është pronë e tij.

Përveç pronarit të kësaj kompanie, në redaksi janë dërguar mesazhe edhe nga persona të tjerë me fotografi të lajmit të fabrikuar, të cilët pretendojnë se një fabrikim i tillë është bërë me qëllim të kamuflimit të identitit të Faton Gjokajt, si pronar legjitim i veturës së aksidentuar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Gjakovë, bëjnë me dije se prokurori kujdestar i cili ka urdhëruar që rasti i “vjedhjes” së veturës dhe aksidenti i shkaktuar të procedohet në mënyrë të rregullt, është në dijeni se nuk kemi të bëjmë me vjedhje të veturës, siç u raportua, por me marrje të veturës me pëlqim të pronarit. /GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: