image ETC në Prizren mashtron qytetarët me "zbritje" të çmimeve

Sinjalizime

ETC në Prizren mashtron qytetarët me “zbritje” të çmimeve

news image

Ngritja e çmimeve në artikuj ushqimorë e esencialë është vërejtur edhe në Kosovë. Mirëpo, marketet e mëdha po vazhdojnë të joshin konsumatorët me gjoja “zbritje” të çmimeve, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë i mashtrimit, që nuk është rast i rrallë në vendin tonë, i ka ndodhur sonte një qytetari në Prizren.

Ai ka dërguar në adresë të Sinjalit një fotografi nga marketi, ku shihet një afishe në të cilën shkruan se ka zbritje të çmimit për letrën higjienike.

Ndonëse në raft është proklamuar se produkti në fjalë është në zbritje nga 1.59 euro në 1.39 euro, qytetari tek arka ka paguar çmimin që ishte para zbritjes.

Ky sinjalizues thotë se është ankuar te menaxhmenti i këtij supermarketi, por nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Madje, ai pretendon se kjo nuk është hera e parë që vihet në lajthitje nga reklamat e tilla brenda këtij supermarketi, për çka edhe ka paralajmëruar menaxhmetin që do të bëjë ankesë në Inspektoratin e Tregut.

Gazeta Sinjali edhe më parë ka raportuar për raste të tilla që ndodhin në supermarketin në fjalë.

Menaxhmenti i këtij supermarketi ishte arsyetuar se këto raste ndodhin për shkak të “pakujdesisë” së punëtorëve, të cilët gjoja se “harrojnë” t’i largojnë çmimet e aksioneve ose t’i nivelizojnë çmimet e raftit me ato që janë të shënuara në arkën fiskale.

Gazeta Sinjali ju inkurajon që të raportoni të gjitha rastet ku dyshoni se po shkelen të drejtat e juaja si konsumatorë, për çfarëdo produkti ose shërbimi./Gazeta Sinjali/