Emisari amerikan, Gabriel Escobar, ka thënë se për SHBA-në, qëllimi final i dialogut Kosovë-Serbi, është njohja reciproke.
Escobar këtë deklaratë e ka bërë në kohën e presioneve të shtuara për një marrëveshje Kosovë-Serbi, bazuar në planin franko-gjerman, i njohur tashmë si plani i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes dyja vendeve.
“Politika jonë ka qenë shumë e qartë. Ne mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve. Për ne, njohja reciproke duhet të jetë qëllimi përfundimtar, i rëndësishëm. Ne mendojmë se të gjitha vendet e rajonit duhet të njohin njëri-tjetrin, duhet të reduktojnë barrierat për tregtinë, duhet të ndihmojnë në zgjidhjen e disa prej problemeve të pazgjidhura të mbetura nga vitet ’90 dhe të ecin përpara drejt integrimit evropian”, tha Escobar.
Emisari amerikan tha se plani franko-gjerman është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe shtoi se pret që palët ta pranojnë atë.
“Para së gjithash, ne mendojmë se dialogu ka një plan të mirë. Ne mendojmë se tani propozimi franko-gjerman të cilin ne e mbështesim – unë isha atje, kur ata e dorëzuan atë ishte një hap i rëndësishëm në normalizim. Është një udhërrëfyes i mrekullueshëm, shpresojmë që të dyja palët ta pranojnë dhe të fillojnë menjëherë zbatimin e tij. Por ndërkohë, ka mjaft fusha që ekzistojnë brenda Marrëveshjes së Brukselit që mbeten të paplotësuara. Një nga më të rëndësishmet është Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, tha Escobar një një intervistë për mediumin The Pavlovic Today.