Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, është takuar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Me të ka diskutuar për shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e programeve për bashkëpunimin e të rinjve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Krasniqi theksoi se takimet me Veliajn janë si frymëzuese, sepse ai sipas tij, është njeriu dhe politikani model, që ka vendosur standardet e larta të një kryetari Bashkie ose Komune.
“Besoj që çdo politikan, edhe veçanërisht politikanët e brezit të mesëm nuk po them të brezit të ri sepse ka më të rinj se ne, vërtetë mendoj që duhet ta ketë pikërisht këtë pikënisje, dhe pikërisht këtë qasje që të ketë pasion për punën që ne bëjmë”.
“Unë vërtetë sot u gëzova edhe nga ajo që Erioni ka bërë në vazhdimësi, nga hapësira që e ka krijuar dhe po e fuqizon për të pasur sa më shumë shkëmbime mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërmjet të rinjve dhe veçanërisht në vitin Evropian Të Rinisë që këtë vit Tirana do e udhëheqë, edhe e organizon por, edhe tek pjesa e shkëmbimeve kulturore. Gëzohem që këtë e ka pasur gjithmonë një nga angazhimet dhe prioritetet e tua”, tha ai.
Krasniqi shtoi se edhe Prishtina si kryeqytet homolog i Tiranës duhet ta ndjekë një qasje të tillë për ta rritur shkëmbimin dhe njohjen, si dhe për t’ju ofruar mundësinë të rinjve dhe të rejave të Kosovës dhe Shqipërisë për të punuar.
Veliaj tha se delegacionin i PDK-së në krye me kryetarin Krasniqi, përfaqëson elitën edhe të renë në politikën e Kosovës.
“Ne kemi një mundësi të shkëlqyer me vitin e rinisë, kemi një mundësi të shkëlqyer në Kosovë me manifestën. Kështu që angazhimi ynë është ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe mos t’ia lëmë rastësisë, po ne të insistojmë me programe të veçanta. Duke filluar që në gjimnaz, duke filluar që në universitet, në forumet e partive, në organizatat jo qeveritare, në klubet artistike ne t’i lidhim këto fije”, tha ai.