image Erdogan u dhuroi revolverë, liderët e NATO-s tregojnë çfarë do të bëjnë me armët

Botë

Erdogan u dhuroi revolverë, liderët e NATO-s tregojnë çfarë do të bëjnë me armët

news image

Pas dhuratës së pazakontë të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan për liderët e NATO-s – nga një revolver të personalizuar për secilin prej tyre – vendet aleate kanë marrë vendime të ndryshme për mënyrën e trajtimit të armëve.

Në disa shtete, dhurata është dorëzuar për ruajtje në institucione shtetërore, ndërsa në të tjera është vendosur që revolverët të çaktivizohen ose të dërgohen në muze.

Në Gjermani, kancelari Friedrich Merz ia dorëzoi revolverin Ambasadës gjermane në Ankara, e cila do ta transferojë në Berlin për t’u përfshirë në koleksionin zyrtar të dhuratave shtetërore, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez vendosi që arma të dërgohet në Ministrinë e Brendshme, ku do të çaktivizohet nga shërbimi i Gardës Civile për kontrollin e armëve.

Në Greqi, kryeministri Kyriakos Mitsotakis vendosi që revolveri të dhurohet për Muzeun e Luftës në Athinë.

Ndërkohë, Portugalia ia dorëzoi armën policisë për analizë mjeko-ligjore, ndërsa Polonia njoftoi se revolveri do të ruhet në një vend të sigurt dhe nuk do të përdoret.

Në Belgjikë, kryeministri Bart De Wever thuhet se e dorëzoi armën te policia e aeroportit pas kthimit në vend, ndërsa ekipi i tij i sigurisë u mor edhe me revolverët e dhuruar për drejtuesit e Bashkimit Evropian.

Britania e Madhe ka vendosur që arma e kryeministrit Keir Starmer të çaktivizohet para se të dërgohet në vend, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

Dhurata, e vendosur në kuti druri dhe e gdhendur me emrin e secilit lider, ka ngjallur interes për shkak të natyrës së saj të pazakontë, sidomos pasi bëhet fjalë për armë zjarri të dhuruara në një takim të aleancës ushtarake.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/