image Vazhdojnë hetimet, ende nuk dihet shkaku i shpërthimit të veturës në Ferizaj

Siguri

Vazhdojnë hetimet, ende nuk dihet shkaku i shpërthimit të veturës në Ferizaj

news image

Mbrëmjen e së hënës ndodhi një incident në magjistralen Prishtinë – Ferizaj. Në një pompë të benzinës në Babush një veturë u dogj tërësisht, e madje i mori jetën edhe një personi. Nga shpërthimi i veturës, lëndime ka pësuar edhe një punëtore që ka qenë brenda marketit afër.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Prokurorinë e Ferizajt në lidhje me këtë, por thanë që hetimet në lidhje me këtë rast i ka marrë Policia e Kosovës.

Ndërsa nga Policia në Ferizaj thanë se ende janë duke vazhduar hetimet për zbardhjen e rastit, ku vdiq një person dhe u lëndua një tjetër.

Policia i tha Sinjalit se janë duke e hetuar edhe çështjen nëse bëhet fjalë për zjarrvënie apo eksploziv.

“Sektori Rajonal i Hetimeve ngab Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj është duke punuar intensivisht në grumbullimin e informacioneve në terren dhe intervistimit të personave me qëllim të zbardhjes së rastit. Sapo të kemi një epilog nga hetimet ju do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Gazeta Sinjali ka publikuar edhe pamje nga momenti i shpërthimit të veturës, ku shihet se djegia fillon prej poshtë e më pas shpërthen e gjithë vetura, ndërsa edhe xhamat e lokalit thyhen.

Siç njoftoi Prokuroria ditë më parë, 21-vjeçarja u lëndua nga një pjesë e shkëputur metalike nga automjeti, e cila në ato momente ishte duke punuar në marketin e kësaj pikë karburanti.

/GazetaSinjali/