image Emisari britanik për moslejimin e zgjedhjeve të Serbisë: Kosova është sovrane në vendimet e saja

Politikë

Emisari britanik për moslejimin e zgjedhjeve të Serbisë: Kosova është sovrane në vendimet e saja

news image

Serbia më 3 prill mban zgjedhje, nuk lejuan të organizohen edhe në Kosovë, pavarësisht kërkesës së shteteve të QUINT-it, shkruan Gazeta Sinjali.

Në lidhje me këtë është deklaruar emisari britanik, i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Steuart Peach në një intervistë për gazetë malazeze “Vijesti”.

Ai tha se është e qartë që Kosova ka të drejtë sovrane për të vendosur nëse një votim i tillë do të ndodhë.

“Isha i zhgënjyer nga lajmi se autoritetet në Kosovë refuzuan propozimin për një zgjidhje kompromisi për t’ia lehtësuar serbëve të Kosovës të votojnë në territorin e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme në Serbi. Ndërsa është e qartë se Kosova ka të drejtë sovrane për të vendosur nëse një votim i tillë do të ndodhë, mosshfrytëzimi i rastit për të arritur një zgjidhje praktike të ofruar në këtë rast vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave themelore të gjithëpërfshirjes dhe të drejtave demokratike për të gjithë qytetarët që jetojnë atje”, tha Peach.

“Ka vetëm një mënyrë që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, ajo është përmes një dialogu të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur gjithmonë këtë proces dhe unë personalisht, si i dërguar, punoj ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili është përgjegjës për dialogun”, deklaroi ai.

“Megjithatë, duhet të kemi parasysh se në fund të fundit ky proces u përket këtyre dyja vendeve. Ata duhet të bashkëpunojnë në interes të popullit të Kosovës dhe Serbisë, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme dhe të qëndrueshme, e cila është e pranueshme edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Është e qartë se gjetja e një zgjidhjeje është në interes dhe kontribuon në sigurinë e të gjithë rajonit. U bëj thirrje liderëve të të dyja palëve që të angazhohen në negociata me gjithë zemër dhe në mënyrë konstruktive”, u shpreh emisari britanik.

/GazetaSinjali/