image Emetimet e Kinës tejkaluan ato të botës së zhvilluar më 2019

Botë

Emetimet e Kinës tejkaluan ato të botës së zhvilluar më 2019

news image

Kina emeton më shumë gazra serrë sesa të gjitha kombet e zhvilluara në kombinim, është thënë në një studim të kryer nga Grupi Rhodium.

Sipas gjetjeve të raportit, Kina ka emetuar 27 për qind të të gjitha gazrave serrë në botë më 2019.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë në vendin e dytë më 11 për qind, derisa India e treta me 6.6 për qind të të gjitha emetimeve botërore, ka thënë instituti me bazë në SHBA, raporton Radio Evropa e Lirë.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se pa një marrëveshje në mes të SHBA-së dhe Kinës, do të jetë e vështirë që të parandalohen ndryshimet e rrezikshme klimatike.

Emetimet e Kinës janë përtej trefishuar në tri dekadat paraprake, ka thënë instituti.

Gjiganti aziatik ka popullsinë më të madhe në botë, dhe emetimet për kokë banori janë ende larg më të mira sesa ato të SHBA-së, mirëpo sipas hulumtimit, këto emetime janë rritur po ashtu, përkatësisht për trefish në dy dekada.

Kina është zotuar për të arritur në emetime zero të gazrave serrë deri më 2060.

Presidenti kinez Xi Jinping ka ritheksuar zotimin e tij në një samit për klimën, të organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden, muajin e kaluar.

 “Ky vendim i madh strategjik është bërë duke u bazuar në ndjenjën tonë të përgjegjësisë, për të krijuar një të ardhme të përbashkët për njerëzim dhe për nevojën tonë që të kemi një zhvillim më të sigurt në vazhdimësi”, ka thënë presidenti Xi në atë samit.

Megjithatë, Kina është tejet e varur nga thëngjilli.

Ky shtet aktualisht ka 1,058 termocentrale me thëngjill, më shumë se gjysma e kapacitetit botëror.

Sipas Marrëveshjes së Parisit për Klimën, të arritur më 2015, 197 shtete janë pajtuar për kufizim të temperaturës së Tokës nën 2 gradë Celsius.

Megjithatë, bota është larg atij përkushtimi.

Krahas Marrëveshjes së Parisit për Klimën, ekzistojnë edhe të ashtuquajturat Kontributet e Përcaktuara Kombëtare.

Ato kanë për qëllim uljen e emetimeve.

Këto Kontribute tregojnë përkushtimet e secilit shtet, sipas Marrëveshjes për Klimën, për të zvogëluar emetimet brenda shtetit, në mënyrë që i njëjti të adaptohet me ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Sipas një analize të pavarur shkencore – Climate Action Tracker- që vëzhgon veprimet e qeverive sa u përket klimës, Kina del se nuk vepron aspak për mbajtje të temperaturës së Tokës nën 2 gradë Celsius.

I dërguari i SHBA-së për Klimën John Kerry, ka udhëtuar në Kinë muajin e kaluar për të takuar homologun e tij dhe për të diskutuar se si mund të punojnë bashkë për të luftuar ndryshimet klimatike, pavarësisht tensioneve diplomatike në mes të këtyre shteteve për çështje tjera.

Në një deklaratë të përbashkët, të dyja vendet janë zotuar se do të punojnë bashkë me shtetet tjera për të luftuar ndryshimet klimatike, duke përfshirë veprime specifike në emetime.

Liderët botërorë do të bëhen sërish bashkë në një tjetër samit për klimën, që do të mbahet në muajin nëntor në Glasgou të Mbretërisë së Bashkuar, për të diskutuar mënyra specifike për luftim të emetimeve. /Gazeta Sinjali/