Toka vazhdon të dridhet në Shqipëri. Këtë mëngjes, një tërmet i ri goditi bregdetin verior shqiptar. Epiqendra u identifikua po në të njëjtën zonë të vendit të prekur gjashtë ditë më parë nga një tërmet i dhunshëm që shkaktoi vdekjen e 51 personave, njëzet e gjashtë prej tyre në Durrës.
Të gjitha viktimat u gjetën nën rrënojat e pesë ndërtesave: dy hotele në skajin jugor të Golemit, Vila Palma dhe Miramare, dhe tre ndërtesa, në njërën prej të cilave tetë ishin të vdekur, thotë shtypi italian duke bërë kështu dhe një përmbledhje të situatës.
Vijimësinë sizmike në Shqipëri, profesor Alessandro Michetti, docent i Gjeologjisë në Universietin e Insubrias, dhe një ekspert i specializuar për rrezikun sizmik në rajonin e Mesdheut, e shpjegon duke thënë se tërmete të tillë të fortë shkaktojnë modifikim të ambjentit, duke lënë “gjurmët” e tyre në territor.
“Nuk i ndalojmë dot tërmetet që të ndodhin, dhe jemi ende larg mundësisë për t`i parashikuar”, thotë Michetti.
“Por ajo që mund të bëjmë, “ shton ai, “ është të studiojmë shenjat e lëna nga sizmat e mëparshme për të ndërtuar një histori evolutive të zonës, duke identifikuar pikat më kritike”.
Mediat italiane përmendin edhe fenomenin e daljes së ujit nga tërmeti, duke kujtuar se pas një tërmeti që kapërcen magnitudën 4,2, ekziston mundësia që disa terrene ranore dhe të pasura më ujë ta humbasin shpejt rezistencën, duke bërë që të zhyten ndërtesat e ndodhura mbi to.
Në tërmetin e Shqipërisë, thotë njëri prej shkrimeve, ishin të shumta godinat që ranë sepse janë ndërtuar në terrene të tilla.