image Ekspertët kërkojnë reagim nga MPJD pas akuzës së ministrit të Jashtëm të Rusisë për dërgimin e forcave në Ukrainë

Kosovë

Ekspertët kërkojnë reagim nga MPJD pas akuzës së ministrit të Jashtëm të Rusisë për dërgimin e forcave në Ukrainë

news image

Rusia po pretendon se ka informacione që persona nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina janë vendosur në rajonin e Donbas të Ukrainës.

Një gjë të tillë po kundërshtojnë ekspertët e sigurisë, duke thënë se kjo është propagandë për të neutralizuar veprimet e mercenarëve rusë. Po ashtu, ata kërkojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme që të reagojnë dhe kundërshtojnë një akuzë të tillë.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi i quan të papranueshme akuzat e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrorv se Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina kanë dërguar mercenarë në Ukrainë. Për këtë ka kërkuar edhe reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Kosovë.


“Është e pakuptueshme pse nuk ka deklarime nga diplomatët tonë, gjegjësisht nga MPJD, siç ka të bëjë me shkeljen e ligjit. Eventualisht nëse bëhet fjalë për këtë atëherë çdo kush që angazhohet në një konflikt të jashtëm luftarak, ne kemi edhe ligjin e vitit 2015 kur sanksionojmë angazhimin dhe kemi një prej ligjeve më të ashpra edhe në Evropë, por edhe në botë që dikush që angazhohet në luftime jashtë vendit mund të dënohet deri në 15 vjet burgim. Deri tash ne nuk kemi asnjë rast të vetëm nga Kosova, adresohet me të dhëna të lidhur me këtë”
, thotë ai.

Më tej, Ibishi shton se këto deklarata janë të qëllimshme që të implikojë vendet e rajonit, për të cilat ka pretendime edhe përmes Serbisë.

Edhe eksperti i sigurisë, Avni Islami thotë se kjo është e qëllimshme dhe propagandë e Rusisë.

“Dihet që Rusia kohëve të fundit e ka zhvilluar tej mase propagandën, jo vetëm këtij rasti, kinse mercenarë dhe luftëtarë vullnetarë janë duke shkuar në Ukrainë nga trojet shqiptare. Kjo është një propagandë e Rusisë, e cila përpiqet të neutralizojë veprimet e mercenarëve rusë, të cilët kanë marrë pjesë në luftëtarët e Ballkanit e më konkretisht në Kosovë. Dhe deklaratat e tyre nuk do të prodhojnë asnjë efekt, për shkak se gjendja në terren nuk është ashtu dhe se sipas gjasave dhe sipas informacioneve nuk posedojnë asnjë informacion që shqiptarët nga Kosova dhe trojet e tjera kanë shkuar në Rusi”, deklaron ai.

Islami gjithashtu nuk konsideron se situata mes Rusisë dhe Ukrainës do të prodhojë pasoja për Kosovën.

“Në aspektin e sigurisë nuk do të preket Kosova, Shqipëria dhe vendet ku jetojnë shqiptarët, pra në Maqedoni. Për shkak se aty ku janë të vendosur shqiptarët dhe trojet e tyre janë populli më pro-perëndimor që këtë e kanë dëshmuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nuk do të ketë dhe nuk do të prodhojë asnjë efekt negativ”, shprehet Islami.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami thotë se me rastin e dislokimit të forcave ruse në kufi me Ukrainën, numri i tyre ka shkuar deri në 150 mijë trupa. Kjo siç tha ai, është tension global ku përfshirja e Rusisë dhe sulmi i saj ndaj Ukrainës do të prodhojë pasoja për shtetet e mëdha.

Për pretendimet e ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov ka reaguar edhe Ministra e Jashtme e Shqipërisë që mohon të ketë në Ukrainë shqiptarë mercenarë, raporton KP.

Rusia raportohet se ka grumbulluar mbi 130 mijë trupa ushtarake në kufirin me Ukrainën.

/GazetaSinjali/