Basketbollisti i KB Pejës, njëherë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, Drilon Hajrizi ka shpalosur shumë gjëra nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e tij, në një intervistë ekskluzive për Sinjali Sportiv.
Fillimisht, Hajrizi tregoi që lëndimet që i ka pasur vitin e kaluar i ka lënë pas shpine dhe se është në formë të mirë fizike dhe i gatshëm për sfida të reja në parket, shkruan Sinjali Sportiv.
Ai tregoi se asnjëherë nuk është i kënaqur me veten dhe gjithmonë kërkon më shumë.
“Ju nuk po e shihni versionin më të mirë të Drilon Hajrizit, sepse përkundër faktit që po kaloj një formë të mirë, unë nuk jam i kënaqur me veten dhe gjithmonë kërkoj që të dhuroj më shumë për këtë lojë të mrekullueshme ”.
Driloni foli edhe për synimet e klubit ku ai luan aktualisht, KB Peja.
“Synimet e Pejës janë të qarta, ne do të “luftojmë” për kreun e tabelës dhe nëse gjërat shkojnë mirë, mendoj që jemi ekipi favorit për titullin e kampionit “.
Shtatëlarti nuk e la pa e përmendur edhe faktin që ka pasur disa oferta jashtëzakonisht të mira për transferim jashtë Kosovës.
“Mua si Drilon, nuk më kanë munguar ofertat asnjëherë dhe thënë të drejtën kam pasur disa oferta të mira jashtë Kosove, por për arsye të ndryshme, nuk kam mundur që të pranoj ndonjë transfer të tillë “.
Ai gjithashtu tregoi se kudo që ka luajtur në Kosovë, ka kujtime shumë të bukura dhe se i është falenderues fansave për respektin që i’a kanë dhënë në tribuna.
Për fund, ai shpalosi edhe eksperiencën e tij në Përfaqësuesen e Kosovës në basketboll dhe për dy ndeshjet e ardhshme ndaj Sllovakisë dhe Islandës.
“Për mua arritja më e madhe në karrierë është të luaj për Kosovën, thjeshtë nuk mund ta përshkruaj me fjalë këtë ndjenjë “.
“Para ndeshjeve parakualifikuese ndaj Sllovakisë dhe Islandës, po mbizotëron një atmosferë perfekte. Do të na mungoj shumë përvoja e Dardan Berishës në këto ndeshje, por do të mundohemi ta konpenzojmë mungesën e tij dhe t’i fitojmë dy ndeshjet “.
Drilon Hajrizi në të kaluarën ka luajtur për Prishtinën dhe Trepçën, ndërsa ka pasur edhe një aventurë jashtë Kosovës, në ligën japoneze.