Një postim në rrjetin social TikTok ka alarmuar drejtuesit e një shkolle në Gjakovë dhe ka nxitur reagimin e Policisë së Kosovës.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se drejtori i Shkollës Fillore “Dëshmorët e Dushkajës” në Bardhaniq kishte vërejtur në TikTok një fotografi të publikuar nga një nxënës i klasës së nëntë, ku i njëjti shfaqej brenda hapësirave të shkollës me një mjet të mprehtë – thikë.
Pas raportimit të rastit, Policia ka intervistuar të miturin në prani të prindit të tij. Sipas deklaratës së dhënë para hetuesve, ai ka pranuar se fotografia ishte realizuar dhe publikuar rreth një muaj më parë brenda objektit shkollor.
I mituri ka deklaruar se thikën e kishte mbajtur pa ndonjë qëllim të caktuar dhe se nuk kishte probleme apo konflikte me askënd.
Gjatë procedurës, ai ka dorëzuar mjetin e mprehtë, i cili është konfiskuar nga Policia si provë materiale.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar për të mitur, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet nën trajtim nga organet kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!