Hetimi i cili po zhvillohet lidhur me vjedhjen e kasafortës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), duket se tani është zgjeruar edhe në drejtim të zyrtarit policor (emër i njohur për redaksinë) i cili në natën kritike ishte caktuar përgjegjës për siguri në këtë institucion, njoftojnë burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë.
Në bazë të hetimit që tashmë ka filluar ndaj zyrtarit policor, i njëjti dyshohet se ka dështuar të përmbush detyrën zyrtare, përkatësisht të bëjë patrullimin e nevojshëm në hapësirat e objektit kur ka ndodhur vjedhja në përputhje me rregullat për siguri.
Të njëjtat burime bëjnë me dije për Gazetën Sinjali, se së shpejti pritet edhe suspendimi i këtij zyrtari dhe procedimi i mëtutjeshëm i këtij rasti.
Kujtojmë se gjatë kësaj jave Gazeta Sinjali raportoi edhe për vjedhjen e mbi 2.1 milionë eurove te Thesari i Shtetit, përmes 4 transaksioneve, ku një i dyshuar është dërguar në paraburgim, ndërkaq dy të tjerë janë në arrati.