image Shpend Ahmeti e organizon festën e ditëlindjes në pandemi, gjobitet nga policia

Sociale

Shpend Ahmeti e organizon festën e ditëlindjes në pandemi, gjobitet nga policia

news image

Kryetari i Komunës së Prishtinës ka mbushur mbrëmë 43 vjeç. Për të festuar ditëlindjen, Ahmeti së bashku me 19 miq dhe familjarë të tij është mbledhur në një lokal në lagjen “Chelsea Point” në Prishtinë.

Gazeta Sinjali mëson se festa e të parit të kryeqytetit, e organizuar në kundërshtim me masat antiCOVID, nuk ka zgjatur shumë.

Kjo pasi që, në lokalin ku Ahmeti po festonte me shoqëri, ka shkuar Policia e Kosovës, të cilët ia kanë shqiptuar gjobë Ahmetit, si organizator i ndejës dhe 19 mysafirëve të tij.

Sinjali mëson se policia për këtë rast ka njoftuar edhe inspektorët e AVUK-ut, të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Burime të Gazetës Sinjali brenda kësaj agjencie kanë bërë të ditur se inspektorët i kanë shqiptuar gjobë lokalit ku ishte organizuar festa dhe kanë shpërndarë mysafirët.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe koordinatori i AVUK-ut për Komunën e Prishtinës, Jemin Gjuraj.

“Ne si autoritet i inspekcionit të AVUK-ut jemi marrë me subjektin, ndërsa policia është marrë me personat. Po, ne e kemi gjobit lokalin ku ka qenë e organizuar një ndejnë. Kemi ndërhy aty me ftesë të policisë dhe e kemi kry obligimet tona, të cilat na dalin me vendin e fundit të qeverisë. Po, kemi ndalu ndejën”, tha ai për Sinjali.

Sinjali mëson se lokali hotelier ku është organizuar festa e ditëlindjes së kryetarit të Prishtinës nuk ka qenë biznes i regjistruar, por është marrë privatisht për shfrytëzim nga kryetari i Komunës.

Lidhur me këtë rast, Gazeta Sinjali ka provuar që të marrë përgjigje edhe nga vetë Ahmeti, por i njëjti, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk u është përgjigjur thirrjeve e as pyetjeve të gazetës./Gazeta Sinjali/