image “Lulëzimi” i parave të falsifikuara - Kapet grupi i dyshuar në Gjakovë, arrestohen 7 persona

Ekskluzive

“Lulëzimi” i parave të falsifikuara – Kapet grupi i dyshuar në Gjakovë, arrestohen 7 persona

news image

Qindra e mijëra euro para të falsifikuara po vazhdojnë të vihen përditë në qarkullim, në  tregun e Kosovës. Të dyshuarit për këtë vepër penale në shumicën e rasteve veprojnë bashkarisht. Një grup i tillë ka qenë nën llupën e Drejtorisë rajonale në Gjakovë që një kohë, derisa sot u kap. 

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se sot Policia në Gjakovë ka arritur t’i prangos shtatë persona, të cilët dyshohen për falsifikim të parave.

Fillimisht, zyrtarët policorë kanë arritur t’i arrestojnë pesë të dyshuar dhe më pas edhe dy të tjerë, për ta kompletuar grupin që dyshohej se vënin në qarkullim para falso. 

Të njëjtat burime njoftuan për Sinjalin se pas arrestimit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, me vendim të prokurorit. 

Sinjali mëson se deri më tani ka prova të mjaftueshme që dëshmojnë se shtatë të ndaluarit kanë kryer veprën penale “falsifikim i parasë”. 

Rastin për Sinjalin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

Ndryshe, kohëve të fundit, paratë e falsifikuara po lulëzojnë gjithandej vendit. Brenda pak javësh janë raportuar dhjetëra raste, derisa janë sekuestruar edhe mijëra euro. 

Dënimi që parashihet

Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

/GazetaSinjali/