image Ekskluzive | Ky është shoferi i Shkollës Amerikane në Shkabaj që dyshohet për ngacmim seksual ndaj një nxënëseje të mitur

Sinjalizime

Ekskluzive | Ky është shoferi i Shkollës Amerikane në Shkabaj që dyshohet për ngacmim seksual ndaj një nxënëseje të mitur

news image

Një rast i rëndë që dyshohet se ka ndodhur brenda komunitetit të Shkollës Amerikane në Shkabaj të Obiliqit ka çuar në arrestimin e një punonjësi të këtij institucioni, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Rrahim Lutën, shofer pranë kësaj shkolle, i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse të mitur.

Rasti është raportuar më 8 qershor 2026 nga një punonjëse e shkollës, e cila ka njoftuar Policinë lidhur me dyshimet për ngacmim ndaj vajzës së mitur.

Pas pranimit të informacionit, njësitë relevante policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe kanë intervistuar viktimën e mitur, si dhe dëshmitaren që ka raportuar rastin.

Sipas burimeve të njëjta, pas përfundimit të procedurave fillestare policore, Rrahim Luta është arrestuar dhe, me vendim të Prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë.

I dyshuari është dërguar në Qendrën e Ndalimit, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale “Ngacmim seksual”.

Hetimet janë në zhvillim dhe pritet të sqarohen të gjitha rrethanat e ngjarjes.

Për shkak se rasti përfshin një të mitur, Gazeta Sinjali nuk publikon identitetin e viktimës dhe detaje që mund të çojnë në identifikimin e saj.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/