image Ekskluzive: Ky është polici që aksidentalisht shkrepi armën dhe la të vdekur kolegun e tij 27-vjeçar

Ekskluzive

Ekskluzive: Ky është polici që aksidentalisht shkrepi armën dhe la të vdekur kolegun e tij 27-vjeçar

news image

Festa e 15 zyrtarëve policorë mbrëmë në një villë në Zllatar të Prishtinës u kthye në tragjedi. Njëri nga policët dyshohet se vrau aksidentalisht kolegun e tij, zyrtarin policor 27-vjeçar, Lirim Haxholli. I dyshuari u ndalua për 48-orë dhe u suspendua nga detyra.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se polici që u arrestua nga Inspektorati Policor i Kosovës, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “vrasje” është Fatlum Mehmeti, i cili shërben në stacionin policor “Qendra.

I njëjti dyshohet se vrau aksidentalisht kolegun e tij, kur pas përfundimit të festës i shkrepi arma dhe plagosi Lirim Haxhollin. Lirimi u dërgua në Emergjencën e QKUK-së, por pavarësisht përpjekje të mjekëve, ai fatkeqësisht nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve dhe vdiq.

Arrestimi dhe suspendimi edhe i 5 zyrtarëve të tjerë policorë

Përveç Fatlum Mehmetit, IPK ka arrestuar edhe 5 zyrtarë të tjerë policorë, të cilët po ashtu janë suspenduar.

“Me dyshimin se kanë kryer veprën penale të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga Inspektorati Policor janë arrestuar edhe 5 zyrtarë tjerë policorë (që ishin prezent në ndejë) kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe të njëjtit janë suspenduar.”

IPK ka njoftuar po ashtu se i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit edhe për 9 zyrtarët tjerë policorë që ishin prezent në këtë rast.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/