Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë si pjesë e grupit që dyshohet se për rreth 2 vite vunë në lajthitje një burrë në Prishtinë, duke ia zhvatur rreth 500 mijë euro gjoja se për të investuar në kriptovaluta. Rona Salihu dhe Fitim Cakolli, ishin të arrestuarit e parë, ndërsa të hënën është kapur edhe një person tjetër, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për Laurant Gashi, 25-vjeçar, i cili është identifikuar gjatë hetimit të këtij rasti, ndërsa gjatë ditës së djeshme është arrestuar, me ç’rast janë sekuestruar edhe prova të tjera në lidhje me rastin.
Të njëjtit dyshohen se në bashkëkryerje që nga gushti i vitit 2020 kanë arritur që përmes mashtrimit të marrin nga viktima rreth 500 mijë euro, me kinse qëllim që të fitojë para përmes investimit në kripovaluta.
Pas shoqërimit në Polici të të dyshuarit të fundit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, në drejtim të veprës penale “Mashtrimi”.
Ndryshe, investimi në njësi monetare dixhitale është bërë trend te qytetarët të cilët japin shuma të majme parash për kriptovaluta, por që kohëve të fundit ka pasur raste të shumta të mashtrimeve, pre e të cilave kanë rënë edhe kosovarët.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.