Gazeta Sinjali sot ka raportuar se gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës janë arrestuar pesë persona nën dyshimin se kanë përgatitur vepra terroriste. Emri i të arrestuarit të parë ishte Ardian Qerkinaj, mirëpo Sinjali e ka mësuar edhe të dytin.
Siç bëjnë të ditur burimet e Sinjalit, personi i dytë i arrestuar është Mentor Bellaqa. Ai u arrestua në Prizren, rreth orës 15:00, bashkë me një të dyshuar tjetër për këtë rast.
Bellaqa ka qenë i arrestuar në vitin 2014, si një nga të dyshuarit që kanë qenë pjesë e luftës në Siri.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se gjatë bastisjes janë gjetur materie eksplozive, armë të zjarrta dron, si dhe armë anti-tankë.
“Gjithashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit persona kanë kryer veprat penale “Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 138 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129 paragrafi 1lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 paragrafi 2 i KPRK-së”, thuhet nga prokuroria.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.