image Ekskluzive/ Këta janë zyrtarët komunalë dhe biznesmeni që u arrestuan sot në Gjilan, dyshohen se mashtruan me një tender

Ekskluzive

Ekskluzive/ Këta janë zyrtarët komunalë dhe biznesmeni që u arrestuan sot në Gjilan, dyshohen se mashtruan me një tender

news image

Prokuroria Themelore në Gjilan e asistuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike në Prishtinë ka zhvilluar sot një aksion për luftimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Gjilan, i cili rezultoi me prangosjen e tre zyrtarëve komunalë dhe një pronari të Kompanisë.

Sinjali merr vesh se tre zyrtarët komunalë të cilët ranë në prangat e Policisë janë:
Pëllumb Jashari, 1984,
Ismajl Zubaku, 1985,
Florim Demolli, 1988
.

Ndërkaq, biznesmeni që u arrestua gjatë operacionit të Prokurorisë në Gjilan, është:
Avdi Koca, 1993.

Prokuroria Themelore në Gjilan u vu në aksion pas dyshimeve se tani të arrestuarit kanë manipuluar me një tender komunal, duke i shkaktuar dhjetëra mijëra euro buxhetit të Komunës.

Jashari, Zubaku dhe Demolli, po dyshohen se në cilësinë e anëtarëve të Komisionit Vlerësues për tenderin “Furnizimi me dollapë për Shkolla”, në Kamenicë, kanë mashtruar duke i shkaktuar buxhetit të komunës dëm në vlerë të 35 mijë e 731 euro e 50 centë.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali brenda Drejtorisë së Krimeve Ekonomike, tre zyrtarët komunalë dyshohet se kanë nënshkruar raportin se gjoja e kanë pranuar mallin, ndonëse në fakt nuk kishin pranuar asnjë dollap.

Me këto veprime, ata po dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, përmes të cilës i mundësuan pronarit të kompanisë së mobileve, Avdi Kocës, që të përfitojë shumën e tenderit, pa dërguar asnjë dollap në shkolla.

Kocës iu vunë prangat për shkak se dyshohet se nuk iu përmbajtë kontratës, duke mos i furnizuar shkollat me dollapë për mjetet financiare që mori, prandaj po dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim dhe Mashtrim në Prokurim Publik”.

Katër të arrestuarit me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë në Qendrën e Ndalimit në Gjilan.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/