Prokuroria Themelore në Gjilan sot ka njoftuar se katër zyrtarë të komunës së Novobërdës janë ndaluar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”.
Ata dyshohet se kanë marrë pagë nga komuna për tri vjet pa u paraqitur asnjëherë në punë, duke i shkaktuar dëm buxhetit të komunës në vlerë prej 13 mijë eurosh.
Burimet e Gazetës Sinjali njoftojnë se katër zyrtarët e ndaluar për keqpërdorim të pozitës zyrtare janë:
Sabedin Vllasaliu;
Adem Abazi;
Predrag Stankoviç;
Nenad Dimiç.
“Me datë 22 prill 2022, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit e në bashkëpunim me Policinë e Kosovës NJHRKEK në Gjilan, janë ndaluar katër zyrtar të komunës së Novobërdës, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të njëjtit dyshohen që me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë mundësuar marrjen e pagës në periudhën kohore prej 3 viteve në shumë prej 13000 (trembëdhjetë mijë) euro pa u paraqitur në punë, duke dëmtuar buxhetin e Komunë së Novobërdës, në shumën e lartshënuar”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.