image Durmishi i reagon PDK-së për akuzat për keqpërdorim, paralajmëron padi

Politikë

Durmishi i reagon PDK-së për akuzat për keqpërdorim, paralajmëron padi

news image

Partia Demokratike e Kosovës sot përmes një konference për media e ka akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës se ka nënshkruar 42 kontrata joligjore, që sipas tyre i kanë shkaktuar buxhetit dëm në vlerë prej 9 milionë euro, shkruan Gazeta Sinjali.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, duke mohuar se kanë bërë ndonjë shkelje të ligjit. Madje i dyti i Ministrisë paralajmëroi edhe padi ndaj PDK-së.

“Kjo mënyrë e qeverisjes së drejtë, si duket po ju pengon shumë atyre që nuk lanë asnjë të zezë pa e bërë. Asnjë shkelje të ligjit nuk e kemi bërë, e nuk e kemi asnjë aferë korruptive, e për më shumë kujdesemi në maksimum për paranë publike, gjë që është e pa kuptueshme për qeverisjet e kaluara e sidomos për PDK-në, që e zhvatën shtetin për vite me rradhë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ministria në emër të Durmishit.

“Është vetëm një kontratë e negociuar e lidhur nga MMPHI-ja, për projektin e “Zgjatjes së pistës së airoportit Adem Jashari”, projekt ky i ndërprerë për shkak të pandemisë. Sot pista e aeroportit është e zgjatur, janë instaluar mjete navigimi që aeroportin tonë e bëjnë më të sigurtin në Ballkan. Të gjitha kontratat tjera janë të nënshkruara nga qeverisjet e kaluara, me gabime të mëdha, në projekte, paramasa, pozicione të pa parashikuara e duke lënë gjithëmonë hapësirën për penallti, pra ku Ministria obligohet të paguaj dëmshpërblime milionëshe pa asnjë punë të kryer. Dhe ndërkohë në teren përballemi me një gjendje jo të mirë të rrugëve për shkak të punimeve të ndërprera. Në mënyrë që ti përfundojmë këto kontrata kemi nënshkruar aneks kontratat për punë shtesë, të gjitha sipas legjislacionit në fuqi dhe në përpikëshmëri me të“, tha Durmishi.

/GazetaSinjali/