image Ekskluzive | Këta janë dy të arrestuarit që dyshohen se penguan dhe shtynë policët gjatë mbrëmjes së maturës në Klinë

Ekskluzive

Ekskluzive | Këta janë dy të arrestuarit që dyshohen se penguan dhe shtynë policët gjatë mbrëmjes së maturës në Klinë

news image

Foto ilustruese


Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për një rast që ka ndodhur gjatë organizimit të mbrëmjes së maturës në Klinë, ku dy persona dyshohet se kanë penguar dhe sulmuar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës.

Sinjali merr vesh se të dyshuarit janë Agron Kadrija, rreth 43-vjeçar dhe Arben Gashi, rreth 43-vjeçar, të cilët janë arrestuar në vendin e ngjarjes nën dyshimin për përfshirje në këtë incident.

Sipas informatave, ngjarja ka ndodhur më 16 maj 2026 rreth orës 17:35 në rrugën “Bill Klinton” në Klinë, gjatë zbatimit të planit operativ “Matura 2026”.

Sinjali mësoi se disa patrulla policore dhe njësia e planit operativ “Stop Drogave” ishin angazhuar për mbarëvajtjen dhe sigurinë e organizimit të maturës së Shkollës së Mesme Teknike “Fehmi Agani”.

Burimet bëjnë të ditur se fillimisht një 18-vjeçar me veturë Audi RS5 nuk u ishte bindur urdhrave të Policisë për të mos hyrë brenda zonës së bllokuar me kona pranë shkollës.

Sipas informatave që disponon Sinjali, ai kishte hyrë me veturë në hapësirën e ndaluar dhe kishte bllokuar rrugën duke e lënë automjetin në mes të rrugës.

Sinjali mëson se më pas, me urdhër të Agron Kadriut dhe në prani të pronarit të veturës Arben Gashi, dyshohet se janë penguar, kanosur dhe shtyrë zyrtarët policorë.

Të dy të dyshuarit janë arrestuar në vendin e ngjarjes dhe pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit kujdestar janë ndaluar për 48 orë.

Rasti është iniciuar për veprat “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës” dhe “Kanosje”.

Hetimet janë zhvilluar nga Hetimet Rajonale në Pejë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/