Prokuroria Speciale e Kosovës po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e paraburgimit për 18 të dyshuarit që u arrestuan në aksionin “Call center” që u zhvillua në 17 lokacione në Prishtinë dhe Ferizaj.
Gazeta Sinjali mëson se të arrestuarit janë Kushtrim Gecaj, Fiorin Dervishi, Idriz Lipa, Erald Lila, Fatmir Kala, Nexhmedin Makovci, Ilir Sejdija, Mario Kepi, Drin Hajredini, Mendim Tetaj, Visar Kabashi, Ardit Zllanoga, Leotrim Haxhiaj, Çlirim Qelaj, Agim Nezha, Argjent Veselei, Ivo Xhahysa dhe Alen Dhimitri.
Si i joshën dhe mashtruan qytetarët e ndryshëm nga Gjermania përmes platformave online “call center” këta të dyshuar?
Burimet e Sinjalit njoftojnë se në kërkesën e Prokurorisë thuhet se që nga viti 2018 deri më 31 mars 2021, 18 të arrestuarit dyshohen se duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role të caktuara janë udhëhequr nga Andi Fosa dhe Fiorin Dervishi dhe në bashkëpunim me të tjerët, ku me dashje dhe me qëllim kanë fituar pasuri të kundërligjshme.
Sipas këtyre burimeve, të njëjtit në mënyrë që të kryejnë veprime mashtruese në formën e tregtisë kibernetike, përmes platformave dhe një softueri të programuar, janë paraqitur si tregtarë në faqet e internetit: www.fxcmarkets.com, www.obsbit.com, www.swissinv23.com ku u janë drejtuar personave të interesuar në Gjermani, duke i kontaktuar përmes telefonit dhe duke i bindur se do të kenë përfitime të larta.
Të dyshuarit i kanë vënë kështu në lajthitje, që ata të besonin për të bërë pagesa në llogari të ndryshme, për kompanitë që ushtrojnë biznesin e shërbimeve telefonike “Call Center”, ku ndër to kanë qenë “Future media LLC, “Media Revolution LLC, Wise Marketing”, Wise Marketing Call SHPK’, ose “Wice Marketing center SHPK, ku humbja e të dëmtuarve arrin në 4 milionë euro, shkruan Sinjali.
Si erdhi deri të arrestimi i të dyshuarve?
Burimet e Sinjalit njoftojnë se sipas Prokurorisë 18 të dyshuarit, duke vepruar si grup kriminal i strukturuar, kanë kryer veprat penale: mashtrim dhe pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar.
Të njëjtat burime kanë dhënë detaje se si erdhi deri te arrestimi i të dyshuarve, raporton Gazeta Sinjali.
Më 14 shkurt dhe më 8 mars, sipas këtyre burimeve, janë përsëritur kërkesat për lëshimin e masave të fshehta, me qëllim të zbulimit të grupit kriminal të organizuar.
Me fillimin e ekzekutimit të këtyre masave të fshehta, është arritur të identifikohen lokacionet se ku dyshohet se është zhvilluar aktiviteti kriminal.
Pas identifikimit të lokacioneve është lëshuar urdhër kontrolli i këtyre lokacioneve, me ç’rast edhe u arrestuan të dyshuarit.
Të dyshuarit sot kanë dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë në orën 09:30.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.