Një operacion i njësisë për hetimin e narkotikëve në Ferizaj ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të substancës së dyshuar narkotike, ndërsa i dyshuari ka arritur të largohet dhe vazhdon të kërkohet nga Policia.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 3 qershorit në rrugën “Robin Kuk” në Ferizaj, gjatë zbatimit të planit operativ “Stop Drogave në Shkolla”.
Sipas burimeve, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kishin identifikuar si të dyshimtë Erdonit Tuniqin dhe i janë afruar me qëllim kontrolli. Megjithatë, sapo ka vërejtur praninë e zyrtarëve policorë, i dyshuari ka hipur me shpejtësi në një veturë pick-up të tipit Opel me targa vendore dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Meqenëse hetuesit ndodheshin në këmbë, nuk kanë arritur ta ndalojnë, ndërsa menjëherë kanë nisur kërkimet për lokalizimin e tij.
Gjatë ekzaminimit të zonës ku ndodhej i dyshuari para arratisjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar narkotike, të paketuara dhe të gatshme për shpërndarje.
Sipas të dhënave të siguruara, janë konfiskuar:
▪ 12 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 131.10 gramë;
▪ 1 qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 57.80 gramë;
▪ 1 peshore digjitale që dyshohet se përdorej për matjen dhe paketimin e narkotikëve.
Pesha totale e substancës së sekuestruar arrin në 188.90 gramë marihuanë, ndërsa vlera e saj në tregun ilegal vlerësohet të jetë rreth 2 mijë euro.
Lidhur me rastin është njoftuar prokuroria dhe ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për sigurimin e të dyshuarit dhe procedimin e rastit.
Provat materiale janë tërhequr dhe proceduar nga njësitë e Forenzikës Rajonale, ndërsa Policia po vazhdon kërkimet për arrestimin e personit të dyshuar.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!