image Ekskluzive: Drejtori i ri kthen ligjshmërinë në AKI, shkarkon 3 asistentet e punësuara kundërligjshëm

Ekskluzive

Ekskluzive: Drejtori i ri kthen ligjshmërinë në AKI, shkarkon 3 asistentet e punësuara kundërligjshëm

news image

Në institucionin më të rëndësishëm të sigurisë në vend, gjatë korrikut të kaluar, ish-drejtori, Kreshnik Gashi, kishte dhënë dritën jeshile për punësimin pa konkurs të tri asistenteve, për veten dhe për dy varësit e tij, duke shpërfillur në tërësi kufizimet ligjore për punësime, sipas ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Këto punësime të paligjshme ishin zbuluar dhe publikuar gjatë tetorit të vitit të kaluar ekskluzivisht nga Gazeta Sinjali.

Përkundër publikimit të hulumtimit, ish-udhëheqësit e AKI-së nuk ndërmorën asnjë veprim për të korrigjuar veprimet e tyre të kundërligjshme, të cilat përveçse zbehën imazhin e këtij institucioni, demotivuan edhe kandidatët që aplikuan për këto pozita.

Mirëpo, për dallim nga ish-drejtori Gashi, kundërligjshmëria në punësime nuk u tolerua nga pasardhësi i tij në këtë pozitë, Petrit Ajeti.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda AKI-së konfirmuan se Ajeti ka marrë vendim për shkarkimin e tri asistenteve që u rehatuan kundërligjshëm në këtë institucion, duke ua bërë të ditur se punësimi i tyre ishte në shkelje të Ligjit për AKI-në dhe si i tillë nuk mund të vazhdojë më tutje.

Gazeta Sinjali sot raportoi edhe për shkarkimin e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Vlora Hyseni.

Në institucionin më të rëndësishëm në vend, gjatë korrikut të 2020-ës ishte punësuar pa ndonjë konkurs asistentja administrative, e cila kishte qenë ish-asistente e drejtorit të AKI-së në atë kohë, Kreshnik Gashit, derisa ky i fundit kishte qenë kryetar i bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Punësimet në shkelje të ligjit në këtë institucion nuk përfunduan me kaq, pasi që, edhe Inspektori i Përgjithshëm, Burim Ramadani, i cili përkundër që ishte mandatuar për të hetuar dhe parandaluar veprimet e kundërligjshme në këtë institucion, veproi njëjtë si shefi i tij, duke punësuar një zyrtare në pozitën e asistentes së tij, pa iu nënshtruar fare konkurrencës, siç e parasheh ligji për AKI-në, shkruan Gazeta Sinjali.

Kundërligjshmëria e punësimeve në AKI u kulmua nga zëvendësdrejtoresha Vlora Hyseni, e cila për dallim nga kolegët e saj, Gashi dhe Ramadani, përdori një metodë tjetër, por sërish të kundërligjshme, duke punësuar asistenten e saj nga konkursi i fundit, i cili kaloi vetëm fazën e parë dhe nuk u finalizua asnjëherë

Sinjali mëson se e përzgjedhura e zëvendësdrejtoreshës Hyseni, për të shërbyer si asistente administrative e saj, ndonëse kishte konkuruar për këtë pozitë, ajo megjithatë ishte renditur e fundit në listën e kandidatëve që kishin plotësuar kushtet për punësim në këtë institucion./Gazeta Sinjali/