image Punësime të kundërligjshme në AKI, shefat rehatohen me asistente pa konkurs

Ekskluzive

Punësime të kundërligjshme në AKI, shefat rehatohen me asistente pa konkurs

news image

Edhe pse është njëri nga institucionet më të rëndësishme në vend dhe pa ndonjë skandal të njohur deri më tani, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, duket se nuk arriti t’i rezistojë presionit të punësimeve preferenciale dhe në shkelje të ligjit, shkruan Gazeta Sinjali.

Burime të Gazetës Sinjali brenda AKI-së, kanë bërë të ditur se gjatë muajit korrik të këtij viti, janë punësuar së paku tre zyrtarë në këtë institucion, duke shpërfillur në tërësi kufizimet ligjore për punësime, sipas ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Zyrtarja e parë e cila mori trajtim preferencial dhe u punësua në shkelje të ligjit nga drejtori i AKI-së, Kreshnik Gashi, në pozitën e asistentes administrative, është ish-asistentja e Gashit, në kohën sa ky i fundit ishte kryetar i bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Punësimet në shkelje të ligjit në këtë institucion duket se nuk përfunduan me kaq, pasi që, edhe Inspektori i Përgjithshëm, Burim Ramadani, i cili përkundër që është i mandatuar për të hetuar dhe parandaluar veprimet e kundërligjshme në këtë institucion, veproi njëjtë si shefi i tij, duke punësuar një zyrtare në pozitën e asistentes së tij, pa iu nënshtruar fare konkurrencës, siç e parasheh ligji për AKI-në, shkruan Gazeta Sinjali.

Kundërligjshmëria e punësimeve në AKI u kulmua nga zëvendësdrejtoresha Vlora Hyseni, e cila për dallim nga kolegët e saj, Gashi dhe Ramadani, përdori një metodë tjetër, por sërish të kundërligjshme, duke punësuar asistenten e saj nga konkursi i fundit, i cili kaloi vetëm fazën e parë dhe nuk u finalizua asnjëherë.

Sinjali mëson se e përzgjedhura e zëvendësdrejtoreshës Hyseni, për të shërbyer si asistente administrative e saj, ndonëse kishte konkuruar për këtë pozitë, ajo megjithatë ishte renditur e fundit në listën e kandidatëve që kishin plotësuar kushtet për punësim në këtë institucion.

Këto punësime në këtë institucion përveç se reflektojnë kundërligjshmërinë e legjislacionit të punësimit për punonjësit e AKI-së, po ashtu dëmtojnë kredibilitetin e këtij institucioni të rëndësishëm për sigurinë nacionale, si dhe demotivojnë të gjithë ata që kanë besuar se mund të sigurojnë një vend pune në këtë institucion, bazuar në parimin e meritokracisë dhe konkurrencës së hapur.

Veprimet e menaxhmentit të AKI-së në raport me këto punësime, përbëjnë cenim flagrant të nenit 12, pika 12.2 të ligjit për AKI-në, i cili përcakton se: Shpalljet e vendeve të lira të punës në AKI i nënshtrohen konkurrencës së hapur dhe publikohen në shumë gazeta ditore që shpërndahen në Kosovë, me përshkrim të kërkesave të përgjithshme për pozitat në pajtim me ligjin në fuqi. 

Gazeta Sinjali ka tentuar disa herë të marrë përgjigje nga AKI-ja lidhur me punësimet preferenciale dhe të kundërligjshme në këtë institucion, mirëpo këtë të fundit kanë zgjedhur heshtjen përballë pyetjeve të dërguara përmes postës elektronike, së paku dy herë.

Shënim: Për korrektësi ndaj zyrtarëve të punësuar dhe me qëllim të mbrojtjes së identitetit të tyre përballë publikut, Gazeta Sinjali edhe pse disponon emrat e zyrtareve të punësuara në shkelje të nenit 12, pika 12.2, ka vendosur të mos i publikojë.

/GazetaSinjali/