image Ekskluzive: Arrestohet pronari i "Universal Food" për të cilin Sinjali raportoi se avulloi rezervat shtetërore të grurit

Ekskluzive

Ekskluzive: Arrestohet pronari i “Universal Food” për të cilin Sinjali raportoi se avulloi rezervat shtetërore të grurit

news image

Gazeta Sinjali pati raportuar ekskluzivisht vitin e kaluar për avullimin e 2 mijë e 519 tonë grurë nga rezervat shtetërore të Kosovës nga kompania “Universal Food” gjatë vitit 2019. Pas gati 10 muaj hetime të Prokurorisë Speciale, Sinjali mëson se para dy ditësh, pra më 15 janar është arrestuar pronari i kësaj kompanie, Bahadir Aksoy, nën dyshimin për veprën penale “shpërdorim i pasurisë së huaj”.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë, dëmi që dyshohet se kompania e Bahadir Aksoyt i ka bërë shtetit është 615 mijë euro.

Sinjali tutje mëson se arrestimi dhe ndalimi i Aksoyt është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale, ndërkaq pritet që ndaj tij të caktohet edhe masa e paraburgimit për shkak të dyshimit se i njëjti mund të arratiset, të pengojë procesin e të provuarit, si dhe për shkak të peshës dhe mënyrës së kryerjes së veprës penale.

Burime brenda Policisë së Kosovës bëjnë më dije se Bahadir Aksoy i është shmangur disa herë paraqitjes në Polici lidhur me avullimin e rezervave të grurit dhe kjo është edhe një arsye më shumë që prokurori do të kërkojë masën e paraburgimit.

Këto burime bëjnë me dije se i njëjti disponon edhe shtetësi turke dhe frekuenton shumë shpesh këtë destinacion, prandaj rreziku i arratisjes është tejet i lartë.

Gazeta Sinjali kishte raportuar se gjatë vitit 2019 shteti kishte vendosur që sasinë e grurit rezervë të cilën e  kishte deponuar në kompaninë “Universal Food”, ta barte te “Barileva shpk”, që ishte angazhuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për ta mbajtur sasinë e grurit në kuadër të rezervave.

Gjatë bartjes së sasisë prej 4 mijë e 669 tonë grurë nga kompania paraprake në kompaninë e kontraktuar nga MTI-ja, u zhdukën saktësisht 2 mijë e 519 tonë grurë.

Detaje të tjera lidhur me këtë ngjarje, për të cilën Sinjali raportoi ekskluzivisht mund t’i gjeni në linqet e mëposhtme.

/GazetaSinjali/