image Edhe tri ditë kohë për koalicionet parazgjedhore

Kosovë

Zgjedhje/ Edhe tri ditë kohë për koalicionet parazgjedhore

news image

Partitve politike në Kosovë u kanë mbetur edhe tri ditë kohë për të lidhur koalicione parazgjedhore, e rrjedhimisht edhe për t’i deklaruar ato në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, si dy parti me interes të publikut për mundësinë e lidhjes së një koalicioni parazgjedhor nuk kanë edhe shumë kohë për një gjë të tillë. Krejt cka kanë për tu marrë vedh këto dy subjekte politike duhet t’i përfundojnë deri të premten në ora 24:00.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për gazetën Sinjali se ky është afati që e ka vendosur Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

“Deri më 30 gusht, në orën 24:00, Partitë Politike të cilat janë të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duhet të deklarojnë se duan të marrin pjesë përmes Koalicionit në zgjedhjet e 6 tetorit. Ky është afati i vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, cka do të thotë se do të jenë vetëm 3 ditë në dispozicion të partive politike për të deklaruar se me kënd do të bëjnë koalicion për të garuar në këto zgjedhje”, ka thënë Elezi.

Elezi thotë se praktika nga zgjedhjet e kaluara tregon se partitë politike presin deri në momentin e fundit për ta kryer këtë obligim.

“Duke u mbështetur edhe në praktikat nga zgjedhjet e kaluara, Partitë Politike nuk i dorëzojnë në KQZ këto deklarime për Koalicione deri në momentin e fundit”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së për gazetën Sinjali.

Ndryshe deri tani shumë parti kanë lidhur koalicione parazgjedhore. AAK e drejtuar nga kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka lidhur koalicion me PSD’në. Ndërsa AKR e Behgjet Pacollit ka lidhur koalicion me Nismën Socialdemokrate ndërsa si bartës i kësaj liste është Fatmir Limaj.

Në përpjekje për organizimin e zgjedhjeve të 6 tëtorit tashmë ka nisur aktivitetet edhe Komisioni Qendror Zgjedhor, i cili sot ka miratuar buxhetin rreth 6 milionë euro për organizmin e zgjedhjeve të parakohshme.

Në këtë mbledhje, ndër të tjera, janë caktuar edhe afatet e aktiviteteve zgjedhore, sipas të cilave fushata do të zgjasë dhjetë ditë, duke filluar nga 25 shtatori deri më 4 tetor, ndërsa aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës do të fillojë më 30 gusht.

Ndërkohë ende nuk është bërë e ditur se a ka vendosur Ministria e Financave që të financojë zgjedhjet e parakohshme. Parashihet që organizimi i këtyre zgjedhjeve të kushtojë diku afër 4 milionë euro./Sinjali