image Edhe Shqipëria lejon që testimet serologjike të kryhen në klinika private

Shqipëri

Edhe Shqipëria lejon që testimet serologjike të kryhen në klinika private

news image

Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri ka miratuar protokollin për fillimin e testimeve serologjike edhe në strukturat jopublike, me kushtin që testet të jenë të verifikuara fillimisht nga Instituti i Shëndetësisë Publike.

Ky vendim vjen bazuar në strategjinë e kontrollit të epidemisë në vend, e cila parashikon përfshirjen edhe të institucioneve të sektorit privat, në funksion të rritjes së kapaciteteve për përballimin e situatës.

Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjensia Kombetare e Barnave dhe Paisijeve Mjekësore do të lejohen të përdoren në laboratorë të licensuar jopublikë dhe të njohur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si laboratorë që plotësojnë standardet për kryerjen e testit serologjik, për praninë e antitrupave të krijuar nga Sars-Cov2.

Ndërkohë, “ne do të vazhdojmë me kryerjen e testeve serologjike në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT. Po kështu, është planifikuar fillimi i kryerjes së testimit serologjike në një kampion të popullatës, për qëllime studimore nga Instituti i Shëndetit Publik”, tha ministria në një deklaratë.

“Të vetëdijshëm se cilësia dhe siguria e testimit janë thelbësore në strategjinë e kontrollit të epidemisë në vend, – Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, shtoi se, – “do të vazhdojë të ketë në fokus të punës së vet, zbatimin rigoroz të kushteve të sigurisë dhe garantimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve”.

Sqarim për qytetarët, mbi TESTIMIN PËR KUNDËRTRUPA:

Testimi për kundërtrupa tregon nëse e ke kaluar apo jo infeksionin nga SARS-CoV-2 në të shkuarën, por ky test nuk tregon dhe nuk duhet përdorur për të evidentuar infeksionin aktual. Do të duhen të kalojnë 1-3 javë pas infeksionit, që trupi të prodhojë kundërtrupat. Këto rezultate janë të rëndësishme për të informuar mbi personat që mund të kualifikohen si dhurues të gjakut, i cili mund të përdoret për të përgatitur plazmën konvaleshente, një produkt i cili po shihet për t’u përdorur tek personat që janë shumë të sëmurë me COVID-19.

Sido që të jetë rezultati i testimit, pozitiv apo negativ, përsëri duhet të merren masa mbrojtëse për veten dhe të tjerët.

Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjensia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të lejohen të përdoren dhe të vlerësohen.

Këto teste mund të përdoren në laboratorë publikë dhe privatë. Po ashtu, këto teste përdoren në studimet e Seroprevalencës, ku ISHP vlerëson numrin total të njerëzve që janë infektuar, përfshirë këtu edhe ato infeksione që nuk janë identifikuar”./Gazeta Sinjali/