image Edhe pas tre muajve s'ka asnjë rezultat nga hetimet për fletëvotimet e helmuara nga Serbia

Kosovë

Prokuroria/ Edhe pas tre muajve s’ka asnjë rezultat nga hetimet për fletëvotimet e helmuara nga Serbia

news image

Edhe pas kanë kaluar tre muaj e gjysmë, Prokuroria e Prishtinës ende është në pritje për rezultatet e mostrave të zarfeve me vota nga Serbia, shkaku i të cilëve janë helmuar 26 zyrtarë të KQZ-së.

Prokuroria e Prishtinës ka bërë të ditur se ende nuk kanë arritur në Kosovë rezultatet e këtyre mostrave. Sipas tyre janë duke zhvilluar hetimet në lidhje me votat e helmuara nga Serbia dhe për këtë janë intervistuar disa persona.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me këtë rast ju njoftojmë se janë duke u zhvilluar veprime të mëtejme hetimore, në kuadër të këtyre veprimeve janë intervistuar disa persona lidhur me këtë çështje, ndërsa, sa i përket rezultateve të analizave, jemi në pritje të tyre, pasi që ende nuk kanë arritur në shtetin tonë”, ka thënë zëdhënësja e prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj për Gazetën Sinjali.

Më 13 tetor të vitit 2019 gjatë numërimit të votave të ardhura nga Serbia, 26 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë ankuar për gjendjen e tyre shëndetësore, teksa po hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura.

Komisionarët që ishin ankuar për gjendjen shëndetësore ishin trajtuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Fehmi Agani”, në Prishtinë, derisa ata në gjendje më të rëndë ishin referuar për në QKUK, ku ishin trajtuar për disa ditë.

Mjekët pas trajtimit kishin thënë se pacientët e helmuar kishin reaksione të ndryshme, si vjellje, skuqje në fytyrë, kruarje.

Drejtoresha e Klinikës Infektive në Prishtinë, Lindita Ajazaj-Berisha, në një prononcim për Gazetën Sinjali ka thënë se nuk kanë të dhëna të reja sa i përket helmimit të pacientëve nga zarfet me vota nga Serbia.

Sipas saj gjendja e pacientëve të helmuar pas trajtim është e mirë pasi që nuk kanë pasur ankesa pas lirimit nga Klinika Infektive.

“Jo, nuk kemi për momentin as një të dhënë. Ne i kemi liruar pacientët, jemi deklaruar për gjendjen e pacientëve, tani nuk kemi të dhëna të tjera. Ne si klinicist nuk kemi, për të tjerët nuk di nëse kanë informata. Deri tash nuk kanë lajmëruar në klinikë që pacientët kanë pasur problem”, ka thënë  Drejtoresha e Klinikës Infektive në Prishtinë, Lindita Ajazaj-Berisha.

Berisha gjatë  një konferencë për media, kishte deklaruar se rezultatet që i kanë marrë nga Instituti i Biokimisë, rreth zarfeve të ardhur me vota nga Serbia, kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë agjenti infektiv.

Zgjedhjet e parakohshme kanë ndodhur pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, por edhe pse kanë kaluar afro 4 muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve të 6 tetorit ende nuk është formuar qeveria e re.

Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Albin Kurtin si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. /Gazeta Sinjali/