image Edhe një hajn recidivist mësyn kaçkavallin në Viva Fresh, përfundon në pranga të Policisë

Siguri

Edhe një hajn recidivist mësyn kaçkavallin në Viva Fresh, përfundon në pranga të Policisë

news image

Gazeta Sinjali raportoi dje për kapjen në flagrancë të një hajni recidivist, Bernard Smakolli, i cili u ndalua pasi vodhi një produkt ushqimor në një pikë të Viva Freshit në Prishtinë.

Por siç duket ky nuk është rasti i vetëm, kur hajnat kanë cak “Viva Freshin”.

Sinjali ka mësuar se edhe mbrëmë, në pikën e këtij marketi në “Muharrem Fejza”, u krye një vjedhje dhe sikur të ishte e planifikuar, u vodh produkti i njëjtë që kishte vjedhur Smakolli para dy dite.

Sinjali mëson se edhe në këtë rast, që ndodhi në orët e pasditës, i dyshuari u kap në flagrancë, pasi u vërejt nga kamerat e sigurisë se si vodhi një sasi të kaçkavallit, që kap vlerën e dhjetëra eurove.

Edhe këtë herë, Policia kishte të bënte me një hajn recidivist i rreth 30 veprave të ndryshme penale. Burimet thonë se bëhet fjalë për E.B., 32-vjeçar, i cili nuk arriti t’u ikë prangave të Policisë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur, se Policia iu është pergjigjur rastit pasi u njoftua nga marketi dhe menjëherë kanë arrestuar të dyshuarin. I njëjti është dërguar në stacion policor për t’u përballur me veprën për të cilën ngarkohet.

Për shkak të veprave të ndryshme penale që ka kryer, por edhe informacioneve të grumbulluara se si janë kryer këto vepra, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij prej 48 orësh.

Kujtojmë se kohëve të fundit është rritur numri i rasteve të vjedhjeve, që janë raportuar nga marketet e ndryshme në Kosovë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/