Kandidati i LDK-së për deputet, Faton Bislmi, ka reaguar pas video-incizimit në të cilin dyshohet se burri i kryediplomates Meliza Haradinaj-Stublla, se ia ka blerë votat asaj me 6 mijë euro.
Në këtë situatë, Bislimi thotë se e pakta që duhet bërë është që PZAP sot të dërgojë në rinumërim komplet votat me kusht dhe ato të diasporës.
“Me 4 mars, unë kam folë për inxhinjering elektoral, dhe kjo u faktua dje me skandalin e blerjes së votave në QNR për kandidaten e AAK-së. Ky skandal komprimiton skajshmërisht procesin zgjedhor. Ky model i vjedhjes së vullnetit të sovranit ka prekë edhe shumë kandidatë tjerë. Të paktën që do duhej të bënte PZAP sot është të dërgonte në rinumërim komplet votat me kusht dhe ato të diasporës (të cilat ekskluzivisht janë numëruar në QNR) dhe secilën kuti tjetër ku ka një fije dyshimi për manipulim. Perndryshe, demokracia jonë fragjile po fundoset. Burgu është pak në krahasim me fundosjen e demokracisë”, është kërkesa e Bislimit.
Ndryshe, edhe kandidatja për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me shqetësimin e kandidatëve për deputetë për siç thonë ata “manipulimet” që janë bërë me vota, shkruan Gazeta Sinjali.
Bajrami kërkoi nga KQZ që të marrë vendim për rinumërimin e secilës kuti të votave.
Përveç kësaj, ajo propozon që numërimi të transmetohet live në tri televizionet nacionale të Kosovës.
“KQZ-ja të marrë vendim për rinumërim të secilës kuti nën vëzhgim të kamerave, në transmetim live në televizionet nacionale. Nëse nuk bëhet për kandidatët, duhet të bëhet për qytetarët”, shkroi ajo në Facebook, duke shpërndarë postimin e bashkëpartiakes së saj, Lirie Kajtazi, e cila tha se rezultati i saj në këto zgjedhje është përmbysur në Qendrën e “Fabrikimit” të Rezultateve.
Përpos tyre, edhe ish-deputetja e kësaj partie, Lirije Kajtazi ka reaguar pas lajmeve se ish-ministrja nga AAK, Meliza Haradinaj-Stublla ka blerë votat për tu bërë deputete, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një shkrimi në Facebook, Kajtazi thotë se edhe rezultati i saj u përmbys me këtë model në minutat e fundit.
“Me këtë model u përmbys edhe rezultati im ne minutat e fundit
në Qendrën per fabrikimin e rezultateve (QNR)⚠️Të nderuar qytetarë, unë po
vazhdoj betejën time, jo për një mandat në Kuvend, por angazhimin tim të përjetshëm
në luftën për DREJTËSI dhe DEMOKRACI”, ka shkruar ajo./Gazeta Sinjali/