Mbrëmë në rrugën “Ali Kelmendi” në Prishtinë, Policia ka pranuar informata për një rrahje, por në momentin kur ka arritur në vendin e ngjarjes, policët e kanë kuptuar se kanë të bëjnë me diçka tjetër.
Zyrtarët policorë, në vendin e ngjarjes kanë gjetur dy fëmijë, 9 dhe 10 vjeç, të cilët kanë thënë se derisa ishin duke luajtur afër banesës ku jetojnë, janë ndjekur nga disa persona të moshës madhore.
Burimet e Gazetës Sinjali njoftojnë se të dyshuarit kishin tentuar t’i sulmojnë fëmijët, por në atë moment, kanë reaguar prindërit e fëmijëve dhe të njëjtit kanë tentuar t’i kapin por të dyshuarit kanë ikur.
Siç mëson Sinjali, në vendngjarje është shkaktuar tollovi, pasi aty afër është një lokal dhe në terasën e tij ishin demoluar disa karrige dhe ishin thyer gotat që kanë qenë mbi tavolina.
Të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa fëmijët kanë shkuar në banesat e tyre, të cilët janë shqetësuar, mirëpo nuk kanë pasur ndonjë lëndim trupor.
Sinjali mëson se prindërit e fëmijëve janë intervistuar, ndërkaq hetuesia e ka ekzaminuar vendin e ngjarjes.