Tifozët e Arsenalit janë në qiellin e shtatë pas paraqitjes mbresëlënëse të mbrëmshme kundër Manchester Unitedit të cilin ekip e mposhtën me rezultat bindës 2-0.
Granit Xhaka ishte një ndër futbollistët më të mirë në fushën e lojës, duke e neutralizuar krejtësisht fazën sulmuese të “Djajve të Kuq.
Ai duket, si i gjithë ekipi i Arsenalit, i ringjallur pas ardhjes së trajnerit Mikel Arteta. Spanjolli ia doli që në tri ndeshjet e para si trajner të dhuronte paraqitje të mira me lojtarët e tij.
Por, fitorja e parë erdhi vetëm ndaj Manchester Unitedit të cilin ekip e dërrmuan me lojë duke mos i lënë asnjë rast të vetëm shënimi.
Ndërkohë, në Arsenal Fan TV ka ndryshuar krejtësisht atmosfera me tifozët që duken në qiellin e shtatë me trajnerin e ri, dhe me lojtarët që duken të rimëkëmbur nga taktikat e reja.
Duke folur për Mesut Ozilin i cili po duket krejt më ndryshe, tifozi i njohur me nofkën DT, tha se “Edhe Xhaka po ashtu (luajti në mënyrë të jashtëzakonshme) si Ozili,” – pas së cilës fjalë shpërthyen ovacionet mbështetëse nga tifozët e tjerë të pranishëm aty.
Kujtojmë se Xhaka ishte i përfshirë në një incident të shëmtuar me tifozët pas zëvendësimit në një ndeshje kampionale ku kishte bërë paraqitje katastrofale. /Gazeta Sinjali/